Basketbollistet e Prishtinës, në vitin 1996 u stërviten dhe zhvilluan ndeshje miqësore në Tiranë pikërisht në verën e vitit 1996.
Prishtina me trajnerin e asaj kohe, Selami Sokoli, përveç që stërviten edhe zhvilluan miqësore me Studentin e Tiranës.
Kush ishin basketbollistet që për herë të parë shkelën tokën e shtetit shqiptar?
Basketbollistet Alma Leti, Zanfina Ademi, Ajne Racaj, Elvira Dushku, Tuba Breca, Albulena Bylykbashi, Kleitia Dida, Arta Isufi, Ardiana Bylykbashi, Mjellma Lumi, vizituan disa nga qytetet e shumta historike të Shqipërisë.
Gjatë qëndrimit në Tiranës dhe Durrës Nijazi Lleshi, trajner i Partizanit, kishte premtuar se tash e tutje me rastin e organizimit të turneve të ndryshme në basketboll, do të kujdeset që të ftohet edhe Prishtina.
Selami Sokoli, trajner i Prishtinës në vitin 1996, kishte thënë për gazetën e asaj kohe “Bujku”, se realizuan shumë stërvitje me të gjitha përmbajtjet. Shkrimi u publikua me 29 gusht të vitit 1996!
Nuk ka qenë e lehtë të stërvitesh dhe të luash miqësore në shtetin shqiptar, kur dihet se çfarë kërcënime ka pasur nga pushtuesi serb.
Sot vashat tona luajnë të lira dhe në Ligën Unike Kosovë – Shqipëri, ndërsa në vitet e 90-ta, regjimi serb i dëboi nga palestrat sportive.