Trepça dhe Peja do ta zhvillojnë sonte duelin e dytë gjysmëfinal të “play-offit” të Superligës së basketbollit.
Mitrovicasit e kanë fituar duelin e parë, 75:68, ndërsa sonte e synojnë fitoren e dytë, e cila do t’i afronte ata me finalen e madhe.
“Xehetarët” llogarisin në mbështetjen e madhe të tifozëve në palestrën e sporteve “Minatori”, ndërsa interesimi i mitrovicasve për ta përcjellë këtë ndeshje është mjaft i madh, siç njoftoi sot gjatë ditës.
Nga ana tjetër, pejanët kanë shkuar në Mitrovicë të motivuar për ta barazuar serinë e ndeshjeve dhe për ta kërkuar më pas finalen, në mënyrë që ta përsërisin suksesin që e patën në Ligën Unike.
Pra, sonte na pret një spektakël i basketbollit, i cili do të nisë në orën 20:30.
Siç dihet, ekipi që i shënon tri fitore kualifikohet në finale.
Në duelin tjetër, Golden Eagle Ylli ka avantazh prej 2-0 në serinë gjysmëfinale ndaj Sigal Prishtinës.