Kombëtarja U-20 në basketboll për vajza është mundur 88-35 nga Turqia, në Europianin e kësaj grupmoshe që po zhvillohet në Shkup të Maqedonisë. Shqipëria e drejtuar nga trajneri Vladimir Xheka luan në Grupin A të Divizionit B.
Kjo është humbja e dytë e kombëtares kuqezi në këtë turne, që më herët pat humbur 119-20 ndaj Greqisë dhe tashmë renditet e fundit në grupin e saj. Edhe kjo ndeshje, ashtu si e para, ishte jo fort pozitive për kombëtaren shqiptare.
Diferencat në parket mes dy ekipeve ishin shumë të mëdha, me rivalet turke që e dominuan takimin në të katërta periodat (20-4, 30-11, 25-13, 13-7). Shënuesja më e mirë ishte Ornela Muça me 15 pikë.
Ndeshja e radhës për Shqipërinë do të jetë ajo ndaj Zvicrës, ndërkohë që në grup është edhe Ukraina, ndaj së cilës do të luajë ndeshjen e fundit.