Donçiq më i miri, Sllovenia në çerekfinale të Kampionatit Evropian 

Basketboll

Donçiq më i miri, Sllovenia në çerekfinale të Kampionatit Evropian 

Nga: K. G. Më: 10 shtator 2022 Në ora: 17:32
Donçiq më i miri

Falë fitores ndaj Belgjikës, basketbollistët e Sllovenisë arritën në çerekfinale të Eurobasketit. Sllovenët shënuan fitore me rezultat 88:72  (24:19, 20:22, 19:19, 25:12) ndaj belgëve.

Sllovenët, të udhëhequr nga Luka Donçiq, hapën ndeshjen në mënyrë fantastike dhe shumë herët morën epërsi dyshifrore, 16:5, por belgët u kthyen në minus, 20:19 dhe shkuan në pushim me rezultat 24:19 në të mirë të sllovenëve.

Sllovenët u ndanë sërish në çerekun e dytë me diferencë dyshifrore, 37:27, por belgët i rezistuan këtij sulmi të Donçiqit dhe shoqërisë së tij dhe shkuan në pushim vetëm me minus tre pikë, 44:41.

Edhe në çerekun e tretë sllovenët patën momentet e tyre, e ruajtën avantazhin dhe në dhjetë minutat e fundit hynë me tri pikë avantazh, 63:60. 

Belgët hapën pjesën e fundit me një seri 4:0 dhe kaluan në epërsi, 64:63. Mirëpo, pas kësaj, sllovenët bënë një seri 10:1 dhe arritën në plus tetë, 73:65, ndërsa belgët përfunduan shpresat se mund të bënin diçka më shumë në këtë duel.

Sllovenët fituan me rezultat 88:72 dhe siguruan një vend në çerekfinalet e Eurobasket, ku do të luajnë me më të mirët e duelit Ukrainë – Poloni.

Luka Donçiq i priu fitores me 35 pikë. Nga ana tjetër, Emmanuel Lecomte ishte më i miri me 16 pikë, katër kërcime dhe dy asistime, i ndjekur nga Pierre-Antoine Gillet me 15 pikë, dhjetë kërcime dhe dy asistime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat