Valbona Bytyqi sot ka ditën më emocionuese në karrierën 18-vjeçare si basketbolliste.
Ajo pas 18 viteve pensionohet nga loja aktive, ku për shumë vite ka qenë pjesë e Penzës së Pejës, një periudhë edhe në KBF Bashkimin e Prizrenit dhe reprezentuese e Kosovës.
35-vjeçarja sonte i jep fund karrierës aktive në ndeshjen finale të Superkupës së Kosovës.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/October/09/auto_51665325120.jpg)
Ish basketbollistja e mirënjohur, Adelina Çipa, ndihet e nderuar për ftesën por nuk mund të jetë e pranishme në palestrën e sportit në Pejë.
Adelina ka qenë lojtare edhe në kohën e gjeneratës së sakrificës dhe po ashtu në vitet e pasluftës, prej basketbollisteve më të mira që ka pasur Kosova.
“Ndjehem shumë e respektuar që e mora ftesën të marrë pjesë në spektaklin e sotëm: Finalja e Superkupës së femrave dhe njëkohësisht pensionimi i Valbonës.
Për arsye familjare nuk kam mundësi të jem prezente, këtë ia kam përcjellë Valbonës.
Por, deshta publikisht të shprehem për Valbonën.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/October/09/auto_111665325127.jpg)
Ftesa
Valbonën e njoh nga viti 2008, atëherë ishte pjesë e ekipit te Universitetit Fama në Prizren. Talente e rrallë, basketbolliste dhe sportiste me karakter.
Rezultatet e saj janë tregues i karakterit të saj.
Valbona duhet të përcillet tek gjeneratat e reja si shembull se si një talente, bëhet lojtare dhe kapitene shembull dhe sot ajo është edhe nënë shembull.
Bona faleminderit për të gjitha që i dhe basketbollit.
Shëndet e jetë, ty dhe familjes!”, thotë Çipa.