Basketbollisti grek Giannis Antetokounmpo, kampion në NBA me Milwaukee Bucks dy vite më parë dhe dy herë fitues i çmimit MVP, shprehet se ka një mentalitet fitues, të ngjashëm me atë të Kobe Bryant. “E respektoj jashtëzakonisht shumë Kobe dhe mendoj se duhet të flasim shpesh për të, për të mos e harruar”, tha Giannis.
“Nuk më pëlqen të përmend emrin e tij për t’u mburrur apo për përfitime e qëllime personale. Gjithsesi, mendoj se në disa çështje kam të njëjtin mentalitet fituesi si ai, që më ka ndihmuar edhe mua të triumfoj në fushë”, tha më tej basketbollisti grek.
Në vitin 2018, Giannis bëri një bisedë me Kobe dhe më pas punuan gjatë asaj vere së bashku. “Nuk jam i talentuar si ai.
Po flasim për një person që ka dhënë maksimumin që nga dita e parë deri tek e fundit në fushë. Një person që ka luajtur gjithnjë për të fituar, që ka shkuar përtej limiteve, mentalitet “vras*si” kur zbriste në fushë. Kishte dy personalitete”, tha Antetokounmpo.
“Kur ishin jashtë fushe flisnim e bënim shaka, ndërsa kur luanim ishte një bir ku*ve. Dukej sikur nuk më njihte. Më thoshte: Sërish, sërish, sërish…. I thoja: Më fal, Kobe, por edhe sa herë të tjera do ta bëjmë këtë gjë? 25 herë”, kujton Giannis.