Me 6 humbje në po kaq ndeshje të luajtura, skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj mbyll renditjen e Superligës. Gjithsesi, klubi ka nisur të mendojë për të ndryshuar këtë trend, duke nisur përforcimet e para.
Në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ekipi shkodran njofton afrimin e një basketbollisti amerikan: Tavis Pistol Smith. Ai është lojtari i parë i huaj që firmos për shkodranët këtë sezon, me shpresën që të japë një impuls të ri.
Smith do të jetë i pranishëm në fushë që këtë fundjavë, në takimin që Vllaznia do të luajë ndaj Besëlidhjes. Basketbollisti i dytë është Aaron Nike, që në fakt ka disa ditë që ndodhet në Shkodër, por nuk ka luajtur për shkak të federimit.
Gjithsesi, gjithçka pritet të mbyllet këtë javë dhe lojtari të jetë në fushë në sfidën e radhës. Pritet që Vllaznia të ndërhyjë sërish në merkato, për t’iu larguar fundit dhe evituar zbritjen në Kategorinë e Parë.