Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) vendosi që të shpall Lojtarin më të mirë të zgjedhur nga tifozët për stinorin vjeshtor në Art Motion Superligë. Basketbollistët e nominuar ishin: Drilon Hajrizi (Trepça), Erjon Kastrati (Golden Eagle Ylli), Dardan Berisha (Peja), Ivan Koljeviq (Prizreni 16) dhe Julien Leëis (Bashkimi). Dardan Berisha mori më shumë vota, gjithsej 519, duke u renditur në vendin e parë. Pas tij në vendin e dytë ishte Drilon Hajrizi me 337 vota, Erjon Kastrati ishte i treti me 255 vota, Julien Lewis mori 77 dhe Ivan Koljevq 71.
Kapitenia e Penzës më e votuara nga tifozët te femrat
Te femrat, lojtaret e nominuara ishin Sarah Mgbeike dhe Arbnore Përquku nga Prishtina, Valbona Bytyqi dhe Rael Whitsitt të Penzës dhe Irma Konjusha nga Bashkimi. Basketbollistja më e votuar nga tifozët ishte kapitenia e Penzës, Valbona Bytyqi me 714 vota, duke u renditur në vendin e parë. E dyta ishte Irma Konjusha e Bashkimit me 365 vota. Arbnore Përquku u radhit e treta me 102 vota, kurse pas saj ishte Rael Whitsitt me 95 dhe Sarah Mgbeike me 43.
Më 8 e 9 janar u mbajt FIBA SCOD Klinika për gjyqtarët e basketbollit
Më 8 dhe 9 janar është mbajtur FIBA SCOD Klinika për gjyqtarët e basketbollit. Në këtë Klinikë pjesëmarrës kanë qenë 48 gjyqtarë nga të gjitha listat e gjyqtarëve të FBK-së. FIBA SCOD Klinika është udhëhequr nga FIBA Instruktori Nacional Faton Kurshumlija, Instruktori i Gjyqtarëve të FIBA-s, Gjorgi Piperkov dhe Profesori për përgatitje mentale nga Universiteti Pamukale – Denizli, Ridvan Ekmekçi. Në “Zoom Online” të gjithë pjesëmarrësve i është drejtuar Menaxheri i Departamentit të Gjyqtarëve të FIBA-s, Davorin Nakic, i cili ri-përsëriti rëndësinë e implementimit të FIBA SCOD Projektit, ku shumë lartë vlerësoi investimet e FBK-së, gjyqtarët, punën e FIBA Instruktorit Nacional, Faton Kurshumlija, FIBA Instruktorit Gjorgi Piperkov, në organizimet e Klinikave dhe trajnimeve tjera, ku FBK e ka renditur si udhëheqëse e SCOD Projekteve nga shtetet e vogla. Gjithashtu është zhvilluar Testi nga Rregullat e Basketbollit nga FIBA Instruktori Nacional Faton Kurshumlija dhe është udhëhequr nga SHGJFBK, ku 48 gjyqtarë i janë nënshtruar testimeve, ku nga 25 pyetje, 20 ka qenë të obliguara të jenë të sakta.
Fetahu e vlerësoi lartë organizimin e “Tryezës së Sportit” nga MKRS
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu ka marrë pjesë në ngjarjen dy ditore “Tryeza e Sportit” që është organizuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës në Brezovicë më 22 e 23 janar, ku akterët më të lartë vendor të komunitetit sportiv, diskutuan tema të ndërlidhura me këtë fushë, me qëllim të ndërtimit të vizionit për të ardhmen e zhvillimit të sportit në Kosovë: “Organizimi i ‘Tryezës së Sportit’ është një vendim më se i qëlluar dhe FBK e ka mirëpritur ndarjen e informatave dhe ftesën për të ndikuar direkt në planin operativ të këtij viti”, ka thënë Fetahu. Në përmbyllje të tryezës dy ditore, mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, për të ritheksuar vëmendjen dhe dedikimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fushën e sportit.
Prej 9 deri më 13 shkurt u organizua Final 8 i Kupës, spektakël në Pejë
Final 8 i Kupës së Kosovës u zhvillua në Pejë, ku u emërua Agim Lluka, për nder të të ndjerit, i cili ka dhënë kontribut të madh në basketbollin pejan dhe të Kosovës në përgjithësi.
Ngjarja është mbajtur nga 9 deri më 13 shkurt 2022. Gjithçka filloi me një ceremoni spektakolare, ndërsa vazhdoi me ndeshje interesante, ku tetë skuadrat e elitës u përballën mes vete dhe në fund triumfoi Trepça, që në finale mundi Bashkimin. Ky ishte trofeu i parë për mitrovicasit pas një dekade. MVP i turneut është zgjedhur Drilon Hajrizi, çmim të cilin ia ndau djali i të ndjerit Agim Lluka, Rron Uka.
Ndërkohë, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ia dorëzoi trofeun e Kupës, kapitenit të Trepçës, Valdrin Haxhiu.
Përveç skuadrave të elitës garuan edhe katër skuadrat më të mira të Superligës së Femrave dhe katër më të mirat e Ligës së Parë. Te femrat triumfoi Bashkimi, që në finale mundi Prishtinën.
Medaljet i kanë ndarë kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, kryetari i KB Peja, Fatmir Gashi dhe dy anëtarët e Bordit të FBK-së, Valton Bilalli dhe Leart Hoxha.
MVP e turneut është shpallur Sara Vraniqi, çmim të cilin ia ndau Linda Shala, nënkryetare e FBK-së.
Ndërkohë, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ia dorëzoi Kupën, kapitenes së Bashkimit, Ulpiana Emra.
Në Ligën e Parë, fitoi skuadra e New Basket, ndërsa MVP u shpall Hajriz Hajzeri.
Më 15 shkurt u tërhoq shorti për garat ndërkombëtare ku garon Kosova
Më 15 Shkurt në Freising të Gjermanisë u hodh shorti për FIBA Kampionatet Evropiane e kategorive të reja, si dhe për Shtetet e Vogla. Në këtë short kanë qenë pjesëmarrëse edhe Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, njëkohësisht si anëtare e Komisionit e të Rinjve në FIBA Europe, si dhe Artina Hasani, Menaxhere e Eventeve dhe Basketbollit 3x3 në FBK. Dushku e hodhi shortin për FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla te meshkujt, për Divizionin C për U18 te meshkujt, si dhe U16 për meshkujt, që është zhvilluar në Kosovë.
Më 21 shkurt, Junior NBA u zyrtarizua në Kosovë
Më 21 Shkurt drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë pritur Jiri Welsch, ambasador i Junior NBA dhe ish-basketbollist i NBA-së, si dhe Adrian Carrion, përgjegjës i Jr NBA për Kosovë. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, së bashku me Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku dhe Drejtorin Teknik, Arben Krasniqi kanë mirëpritur Welsch dhe Carrion, ndërsa kanë biseduar për fillimin e një projekti shumë të rëndësishëm për basketbollin e Kosovës, fillimin e Junior NBA Kosova.
Welsch dhe Carrion kanë falënderuar drejtuesit e FBK-së për mikpritje dhe bashkëpunimin e ngushtë, që u finalizua me Junior NBA Kosova. Welsch dhe Carrion kanë mbajtur një stërvitje me fëmijët kosovarë. Ata gjatë stërvitjes me djem dhe vajza iu kanë treguar atyre se sa e rëndësishme është shoqërimi mes vete dhe integrimi, ndërsa fëmijët basketbollistët e rinj kanë pasur mundësi të mësojnë shumë nga ata.
Më 22 shkurt në ceremoni zyrtare u hodh shorti për Junior NBA Kosova
Më 22 Shkurt ka filluar një projekt shumë i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës, Junior NBA Kosova.
Me një ceremoni zyrtare është hedhur shorti për Junior NBA Kosova. 30 Shkolla Fillore të gjeneratës 11-14 vjeç janë ndarë në dy Konferenca, apo gjashtë Divizione. Tetë më të mirat e Konferencës kualifikohen në “Play-off” dhe më pas zhvillohet “Final Four”, ku shpallet skuadra kampione.
Hapjen e Draft Shortit, e ka bërë kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.
Në short ishin edhe zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ish basketbollisti i NBA-së, Jiri Welsch, ambasador i Junor NBA, si dhe Adrian Carrion.
Më pas është bërë hedhja e shortit, ku 30 Shkolla Fillore janë ndarë në Divizione e Konferenca, varësisht nga regjionet që janë.
Më 24 shkurt, FIBA dhe FBK e bën rishikimin e 12 mujorit të Planit Strategjik të FBK-së 2021-2025
Përgjegjësja për Federatat Nacionale në FIBA Evropë, Radmila Turner dhe eksperti për strategji dhe marketing i organizatave sportive, Geoff Wilson më 24 shkurt i kanë vizituar zyrat e reja të Federatës së Basketbollit të Kosovës. Me këtë rast ata kanë zhvilluar një takim pune me Kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku. Turner dhe Wilson i kanë përgëzuar krerët e FBK-së me punën e bërë në vitin e parë të implementimit të Planit Strategjik të FBK-së 2021-2025 dhe të arriturat në kuadër të këtij plani.
Më 26 e 27 shkurt u mbajt Seminari për Zhvillimin dhe Fuqizimin e Klubeve
Në Prishtinë më 26 dhe 27 shkurt u mbajt Seminari për Zhvillimin dhe Fuqizimin e Klubeve të FBK-së. Ky Seminar u organizua nga Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA). Hapjen e Seminarit e ka bërë Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.
Ligjërues në Seminari ishin ekspertë të angazhuar nga FIBA: Geoff Wilson, Maeve Buckley dhe Gustavo Arellano.
Temat pr të cilat ata/o kanë ligjëruar:
Menaxhimi i brendit dhe angazhimi digjital me tifozë.
Veprimet në ditën e ndeshjes dhe angazhimi me tifozë në ditën e ndeshjes.
Sponsorizimi dhe investimet nga sektori publik.
Kjo ishte hera e parë që FIBA e organizon një Seminar për Klube në bashkëpunim me një Federatë Nacionale, e në këtë rast me atë të Kosovës, shkruan në faqen e FBK-së.