Janë luajtur sot ndeshjet eliminatore të Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, duke përcaktuar çiftet gjysmëfinaliste.
Në fakt, Flamurtari e Partizani, të renditura në dy vendet e para në kampionat, ishin kualifikuar direkt për në gjysmëfinale.
Sot u përcaktuan dy skuadrat e tjera, që janë Tirana e Studenti. Bardheblutë fituan me shumë lehtësi 100-44 ndaj Barleti Basket, në takimin e luajtur në “Fahrie Hoti”. Për Tiranën debutoi edhe lojtarja amerikane Beana Bey, mbërritur pak ditë më parë.
Në sfidën tjetër, Studenti mundi në kryeqytet 50-33 Vllazninë, në një ndeshje me nivel të ulët e shumë gabime, por që u dominua e fitua nga vendaset. Në gjysmëfinale, Studenti do të duelojë ndaj Flamurtarit kampion, ndërsa sfida tjetër është derbi mes Tiranës dhe Partizanit, që parashikohet mjaft i bukur.
Faza para/eliminatore-Femra
12/1, Elbasani – Barleti, 0-20
Faza eliminatore-Femra
14/1, Tirana – Barleti, 100-44
14/1, Studenti – Vllaznia, 50-33
Gjysmëfinale-Femra
21/1, Flamurtari – Studenti
21/1, Partizani – Tirana