James shënoi 27 pikë duke shkurtuar vetëm në 36 pikë distancën që e ndan me pikëshënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në NBA, Kareem Adbul-Jabbar.
Kjo ishte e vetmja notë pozitive e mbrëmjes për Lakers, të cilët u mundën nga Pelicans në një duel mjaft të luftuar.
Nets morën një fitore të vlefshme përballë Uashington Wizards edhe pse mungonte Irving.
Ky i fundit, u deklarua i dëmtuar, por duket se është më pranë se kurrë largimit nga Bruklini pasi prej katër ditësh ka kërkuar që të futet në merkato.
Në mungesë të tij heroi i mbrëmjes ishte Cam Thomas, autor i 44 pikëve. Falë tij Nets arritën që të merrnin një fitore të madhe pasi rregjistruan plot 70 pikë në dy periodat e fundit.
Mbrëmë Bucks morën fitoren e shtatë radhazi përballë një formacioni të fortë siç është ai i Heat.
Më i miri për ekipin nga Miluoki ishte
Giannis Antetokounmpo me 35 pikë, 15 topa në tabelë dhe 11 asist.
Për ekipin e Majemit rënduan shumë mungesat e disa lojtarëve. Për shkak dëmtimesh trajneri Erik Spoelstra kishte vetëm 9 lojtarë në dispozicion.
Mbrëmja ishte e hidhur për kampionët në fuqi, të cilët edhe pse fituan ndaj rivales të Konferencës të Perëndimit, Dallasit, janë në ankth për shkak të dëmtimit që detyroi Curry-n të braktiste parketin para kohe.
Lojtari më i mirë për ekipin nga San Francisko pasi kishte shënuar 21 pikë u detyrua të largohej pasi kishte dhimbje në këmbën e majtë.