Teuta mbron kreun e renditjes së Superligës në basketboll për meshkuj, pas fitores 65-64 në fushën e Apolonisë, ndeshje e vlefshme për javën e 12-të të Kampionatit Kombëtar.
Një fitore e ardhur në sekondat e fundit, me fierakët që tentuan deri në fund të çojnë ndeshjen në shtesë.
Patterson me 17 pikë e Hysa me 16 pikë bënë diferencën në parket për durrsakët, duke i bërë të pavlefshme 21 pikët e Jenkis për Apoloninë. Në vendin e dytë qëndron Besëlidhja, që mundi me lehtësi 106-75 Vllazninë e vendit të fundit. Për lezhjanët u dallua Jordan, autor i 26 pikëve.
Fitore të rëndësishme korri edhe Kamza Basket, që mundi 79-76 Tiranën në “Fahrie Hoti”, një sfidë mes dy ekipesh që luajnë për vendin e tretë. Një ndeshje e hapur deri në sekondat e fundit, ku për Kamzën u dallua Thomas me 32 pikë e 10 rebound. Për Tiranën, Hamati realizoi 30 pikë e 13 rebound, por që mbetën për statistikë.
Superliga-Meshkuj, java e 12-të
Tirana – Kamza Basket, 76-79
Apolonia – Teuta, 64-65
Besëlidhja – Vllaznia, 106-75
Renditja: Teuta 20 pikë, Besëlidhja 19 pikë, Kamza Basket 17 pikë, Tirana 16 pikë, Apolonia 15 pikë, Vllaznia 12 pikë.
Kategoria e Parë-Meshkuj, java e 7-të
Partizani – Skënderbeu, 85-60
Elbasani – Flamurtari, 19 shkurt
Renditja: Flamurtari 12 pikë, Partizani 12 pikë, Elbasani 8 pikë, Skënderbeu 7 pikë.