Superliga e basketbollit të meshkujve ka luaj tur dje dy takime për javën e 15-të. Besëlidhja dhe Tirana morën fitore në fushat e tyre, përkatësisht kundër Kamzës dhe Apolonisë.
Lezhjanët e Afrim Bilalit nuk e patën aspak të vështirë ndaj kamzalinjve, duke i shkatërruar këta të fundit me rezultatin 83-54 (21-18, 28-18, 16-17, 18-1).
Besëlidhja u shfaq dominuese në çdo aspekt në takimin që u zhvillua në “Asllan Rusi”, duke mos e diskutuar për asnjë moment fitoren.
Për t’u veçuar ishte perioda e fundit, me Kamzën që realizoi vetëm 1 pikë kundrejt 18 të lezhjanëve. Me këtë sukses Besëlidhja i konsolidon edhe më tepër pozitat në vendin e parë.
Ndërsa Kamza vuajti shumë mungesën e pikëve nga stoli, pasi lojtarët e pankinës nuk realizuan asnjë pikë. Robinson me 30 pikë dhe Morris me 18 ishin më decizivët në radhët e Besëlidhjes, ndërsa te Kamza spikati Bowers me 23 pikë dhe 20 ribaunde.
Duke kaluar te sfida tjetër që u zhvillua në “Farie Hoti”, Tirana mori një sukses mes vuajtjesh përballë Apolonisë në shifrat 81-79 (23-19, 17-17, 22-23, 19-20). Një ndeshje e luftuar nga fillimi e deri në sekondën e fundit, por eksperienca e bardhebluve bëri diferencën.
Një triumf mjaft i rëndësishëm për zonën “play off” për skuadrën e Erkand Karajit. Julian Hamati me 17 pikë, 11 ribaunde dhe 3 asiste si dhe Endrit Hysenagolli me 20 pikë, 13 ribaunde dhe 1 asist edhe një herë tjetër mbajtën peshën në lojën e Tiranës. Amerikani Davis debutoi me 10 pikë, 5 ribaunde dhe 3 asiste te bardheblutë.
Për Apoloninë nuk mjaftoi i zakonshmi Robert Whitfield, autor i 20 pikëve, 15 ribaundeve dhe 5 asisteve. Java e 15- të do të mbyllet me ndeshjen e sotme Teuta-Vllaznia.