Pas përfundimit të ndeshjeve gjysmëfinale, është koha për finalet e “Play-off”-it, ku priten super-ndeshje mes Trepçës dhe Pejës.
Mitrovicasit e mundën Bashkimin në çerekfinale dhe më pas Sigal Prishtinën në gjysmëfinale – kurse pejanët, që ishin kualifikuar direkt në gjysmëfinale, e eliminuan kampionin në fuqi, Golden Eagle Ylli.
Pasi u mësuan dy skuadrat finaliste, u krijua shumë “zhurmë” rreth asaj se cilës skuadër do t’i takojë terreni vendas.
Komisioni i Garave vlerësoi se kjo përparësi i takon Pejës, por vendimi i tyre u hodh poshtë nga Komisioni Arbitrar i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), që e pranoi ankesën e Trepçës.
Kësisoj, ndeshja e parë finale do të zhvillohet të mërkurën mbrëma, në palestrën sportive “Minatori”.
Pas këtij vendimi, klubi i Pejës, përmes faqes zyrtare, e ka paralajmëruar sfidën e parë me një postim epik.
Postimi nga KB Peja (pa ndërhyrje):
“- A po vini?
– Jo valla, spo vijmë.
– Ani se vijmë na, Jaran”.