Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim gjatë të enjtes kampionen e Superligës së Kosovës në basketboll, Pejën.
Peja është shpallur kampione e Kosovës për edicionin 2022/23 në Superligën e Kosovës në basketboll, pasi ka mposhtur Trepçën me rezultat të përgjithshëm 3:2.
Disa ditë pasi fituan titullin kampion, drejtuesit e klubit pejan dhe disa nga lojtarët kanë vendosur ta takojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në zyrën e tij në Qeveri.
"Kisha kënaqësinë që të pres në zyrën time kampionët e këtij edicioni të super-ligës së basketbollit në Kosovë, Klubin e Basketbollit Peja.
KB Peja të cilët shënuan 30 vjetorin e themelimit, kanë rrugëtim të gjatë të sukseseve në basketbollin vendor. Ishte edicioni 1992/1993 kur Peja fitoi titullin e parë të kampionit, ndërsa 2022/2023 e bën atë shtatë herë kampion të Kosovës.
Edicioni i sivjetmë i super-ligës ka rikthyer basketbollin në vëmendjen e secilit prej nesh. Rritja e shikueshmërisë dhe mbështetjes për sportin lokal, sinjalizon drejtimin e duhur të zhvillimit të sportit në nivel shtetëror.
Basketbollistëve të skuadrës pejane u urova që në çdo garë dhe ndeshje të radhës në vend të kenë konkurrencë dhe rivalitet sportiv ashtu siç kishin sivjet me “minatorët” e Trepçës.
Urime KB Pejës dhe shumë suksese të gjithë sportistëve të tjerë", ka shkruar Kurti.