Kombëtarja e Shqipërisë në basketboll për meshkuj është mundur mbrëmjen e sotme 89-64 nga Sllovakia, në ndeshjen e vlefshme për fazën para-eliminatore të Eurobasket 2025.
Kuqezinjtë ndodhen në Grupin I, bashkë me Sllovakinë, që u kualifikua në raundin tjetër dhe Rumaninë, që gjithashtu u eliminua.
Humbja e sotme ishte e katërta për Shqipërinë e drejtuar nga trajneri Antonios Doukas në fazën e grupeve, që ishte e pafuqishme të rivalizonte në parket.
Edhe pse kuqezinjtë e nisën mirë ndeshjen, duke fituar 21-15 periodën e parë, shumë shpejt në fushë u përmbysën shifrat, me miqtë që marrin frenat e lojës në dorë.
Pjesa e parë mbyllet 41-38 për Sllovakinë, që thellon shifrat në periodën e tretë, 69-49. Në 10-minutëshin e fundit nuk ka asnjë surprizë dhe Shqipëria pranon humbjen, që e eliminon nga gara për në raundin tjetër. Frenki Lilaj me 14 pikë ishte shënuesi më i mirë i kombëtares shqiptare në këtë sfidë.
Rezultatet e Shqipërisë
Shqipëri-Rumani, 83-87
Sllovaki-Shqipëri, 86-63
Rumani-Shqipëri, 72-63
Shqipëri-Sllovaki, 64-89