Basketbollisti Bardh Rexha është operuar.
Arsyeja e këtij operimi është pas lëndimit në Lojërat Mesdhetare që u mbajtën ditë më parë në Greqi.
Rexha beson e shpreson që sa më shpejt do të kthehet në fushë dha ta ndihmojë KB Vëllaznimin.
“Për shkak të një lëndimi që kam pësuar në Lojërat Mesdhetare – Heraklion 2023 ku kam përfaqësuar Kosovën në garën 3X3, fatkeqësisht do të më duhet të qëndroj për një periudhë të pacaktuar jashtë fushave.
Dua të konfirmoj se i jam nënshtruar me sukses operimit në meniskun lateral dhe tash jam i fokusuar plotësisht në fazën e rikuperimit, ku mezi pres të kthehem në parket edhe më i fortë”, njofton Rexha.
Basketbollisti ka falënderuar edhe institucionet sportive që e ndihmuan me këtë rast.
“Dua të falënderoj Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) që në mënyrë jashtëzakonisht profesionale e trajtoi rastin tim bashkë me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) dhe më qëndruan pranë nga momenti i parë kur e kam pësuar lëndimin.
Falënderoj mjekët e jashtëzakonshëm të Royal Medical Hospital që mundësuan që operimi të kryhet me sukses dhe që të filloj menjëherë me fazën e rikuperimit.
Falënderoj gjithashtu edhe klubin tim KB Vëllaznimi dhe bashkëlojtarët që më kanë ofruar mbështetje maksimale.
Falënderoj familjen dhe shoqninë, ju premtoj të gjithëve se do të kthehem më i fortë!”, ka bërë të ditur Rexha.