Të shtunën është mbajtur Klinika e Basketbollit 3x3 ku ka ligjëruar eksperti ndërkombëtar, Jaume Comas.
Klinika ka qenë për Arsimtarët/et të cilët do të angazhohen në cilësinë e trajnerit/es për fëmijët në Programin “Sport në Shkolla”, pjesë e të cilit është edhe Federata e Basketbollit e Kosovës me basketbollin 3x3.
Ky Program është hartuar nga Ministria e Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës.
Pjesë e këtij Projekti janë Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata e Shahut të Kosovës.
Në hapjen e Klinikës, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka folur për rëndësinë e këtij projekti dhe se, FBK është krenare që është pjesë e këtij Programi shumë të rëndësishëm për fëmijët dhe basketbollin 3x3 në Kosovë.
Dren Marseli, menaxher i programit "Sport në Shkolla" në fjalimin hapës ka treguar se ky program është shumë i rëndësishëm, ku rreth 10000 nxënës të 23 komunave do të kenë mundësinë të jenë aktiv në aktivitetet sportive të përfshira në program.
Nxënësit e shkollave publike do të kenë mundësi të jenë pjesëmarrës në aktivitete të rregullta sportive në 34 shkollat e 23 komunave.