Tirana është shpallur sot në mbrëmje fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj.
Bardheblutë mposhtën 91-74 në finale Besëlidhjen, duke u kthyer në “macen e zezë” për skuadrën lezhjane.
Një ndeshje e komanduar nga Tirana, që u shkëput 23-18 pas periodës së parë, diferencë që u thellua edhe më shumë në 10-minutëshin e dytë. Gjysma e parë e takimit mbyllet 49-35 për Tiranan.
Ky avantazh e bën më të lehtë lojën e Tiranës, që arrin të menaxhojë avantazhin, duke kontrolluar përpjekjet e Besëlidhjes. Madje në fundin e sfidës diferenca thellohet edhe më shumë, me Tiranën që fiton 91-74.
Ndonëse pritej një ndeshje më e fortë, në fushë komandoi Tirana, ndjeshëm më superiore se rivalët. Besëlidhja, që komandon në kampionat, ishte larg asaj që pritej, duke zhgënjyer tifozët e saj.
Për Tiranën u dallua i sapoardhuri Aris Isayas, me 35 pikë e 15 rebound, duke i bërë të pavlefshme 21 pikët e Hamatit për lezhjanët.