Të shtunën është mbajtur Punëtoria e Parënë kuadër të projektit “Safeguarding the Future”.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është fituese e këtij projekti në kuadër të Erasmus +, në të cilin projekt FBK është koordinatore, përderisa partnere të saj janë Federata e Basketbollit të Estonisë, Federata e Basketbollit të Bullgarisë dhe Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK).
Sekretarja e Përgjithshme Elvira Dushku në fjalimin hapës iu uroj mirëseardhje federatave anëtare për këtë projekt në Kosovë. Më pas, ajo foli për rëndësinë e projektit "Safeguarding the Future" dhe krijimin e politikave për këtë projekt të rëndësishëm.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së falënderoi gjithashtu Mimika Dobroshin, Koordinatoren e Zyrës së Erasmus+ për Kosovën, për mbështetjen në projektet lidhur me Erasmus+.
Edhe Dobroshi, u shpreh e lumtur që Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e këtij projekti të rëndësishëm dhe më e rëndësishmja është bartëse e tij.
Po ashtu të shtunën është organizuar edhe konferenca për media, duke lansuar zyrtarisht këtë projekt.
Të pranishëm ishin edhe Presidenti i Federatës së Basketbollit të Bullgarisë, Georgi Glushkov dhe Drejtoresha e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Projekteve Speciale, Eleonora Rangelova, si dhe Drejtori i Ligës dhe Garave në Federatën e Basketbollit të Estonisë, Henri Ausmaa.
Projekti është i ndarë në paketa të punës dhe të gjitha këto do të udhëhiqen nga Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën Bullgare dhe Estoneze, si dhe Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës.