Flamurtari kampion në basketboll për femra mbron vendin e parë pas ndeshjeve të javës së 14-të të Kategorisë së Parë. Vlonjatet fituan 51-43 në kryeqytet ndaj Studentit, në një ndeshje me nivel të ulët e ku skuadrat shënuan shumë pak pikë. Për vlonjatet u dallua Henderson me 19 pikë e 17 rebound.
Fitore të thellë korri edhe Vllaznia, që në fushën e saj mundi 80-27 Elbasanin.
Ndonëse pritej një sfidë disi më e fortë, vendaset u shkëputën që në fillim dhe e merituan fitoren (Rreshpja 32 pikë e 14 rebound).
Pa probleme fiton edhe Tirana, që mundi 80-37 Barleti Basket, sfidë që ishte pa shumë emociome. Për bardheblutë u dalluan Luca me 25 pikë e Tërshalla me 21 pikë. Partizani, falë 21 pikëve të Mala e 20 të Omerbasic, mposhti 96-63 Teutën, ndeshje e luajtur në kryeqytet.
Kategoria e Parë-Femra, java e 14-të
Barleti Basket – Tirana, 37-80
Partizani – Teuta Basket, 96-63
Vllaznia – Elbasani, 80-27
Studenti – Flamurtari, 43-51
Renditja: Flamurtari 27 pikë, Tirana 26 pikë, Partizani 25 pikë, Vllaznia 22 pikë, Teuta 19 pikë, Studenti 19 pikë, Elbasani 16 pikë, Barleti Basket 14 pikë.