Basketbollisti i Minesotës, Entoni Eduards, ka një mendim të lartë për lojën e tij, madje pretendon se është një basketbollist më i mirë se Luka Donçiçi dhe Shejy Gilges-Aleksander.
Eduards po luan në mënyrë fenomenale këtë sezon dhe ai është lojtari më i mirë i Minesotës, një ekip që është lider i Konferencës Perëndimore dhe për shumë është një nga më të mirët në ligën NBA.
“Ndjehem sikur jam lojtar më i mirë (se Luka dhe Shej), 100 për qind”, tha Eduards, i cili këtë sezon ka mesatarisht 26.3 pikë, 5.2 kërcime dhe 5.3 asistime për ndeshje.
Donçiçi, i cili pretendon të fitojë çmimin “MVP” këtë sezon, shënoi pothuajse një performancë triple-double në sezonin actual me 34.2 pikë (i pari në ligë), 8.8 kërcime dhe 9.6 asistime (i treti në ligë).
Sa i përket liderit të Oklahoma Sitit Thunder, ai shënon mesatarisht 31.1 pikë, 5.5 kërcime dhe 6.6 asistime.
Është interesante se të tre luajtën në Botërorin e mëparshëm dhe që të tre ishin lider në ekipet e tyre kombëtare: SHBA, Slloveni dhe Kanada.
Eduards shënoi mesatarisht 18.9 pikë, 4.6 kërcime dhe 2.8 asistime për amerikanët, Gilgis-Aleksander shkëlqeu për Kanadanë me 24.5 pikë, 6.4 kërcime dhe po aq asistime për ndeshje, ndërsa Donçiç kryesoi te sllovenët me 27 pikë dhe 7.6 kërcime.