Kombëtarja e meshkujve në basketboll u mund sot 84-79 në Yerevan nga Armenia, një ndeshje e vlefshme për turin para-eliminator të botërorit 2027.
Ndeshje e vlefshme për Grupin C, ku ndodhet edhe Austria, me të cilën kuqezinjtë do të përballen në nëntor.
Një ndeshje gjatë gjithë kohës e ekuilibruar, ku kuqezinjtë e trajnerit Erkand Karaj edhe mund ta kishin fituar. Ekipi thuajse i rinovuar i Shqipërisë bëri një paraqitje të mirë, por ndoshta përvoja e pakët diktoi në momentet vendimtare, duke “flirtuar” me fitoren në këtë sfidë.
Në pjesën e parë, herë udhëheq njëri ekip e herë tjetri, madje Shqipëria shkëputet deri në 6 pikë, 38-32, por pa mundur ta ruajë avantazhin. 20 minutat e para mbyllen 48-42 për Armeninë, që ka një epërsi të lehtë edhe në gjysmën e dytë, por pa mundur të shkëputet.
Kuqezinjtë rivalizojnë deri në fund, madje nuk dorëzohen as në sekondat e fundit, por pa mundur ta përmbysin rezultatin në favorin e dytë. Armenia fiton 84-79, duke korrur fitoren e parë, ndërsa Shqipëria pëson humbjen e parë në këto eliminatore.
Daniel Lekndreaj me 19 pikë ishte shënuesi më i mirë për kuqezinjtë në këtë ndeshje, ndërsa Hamati realizoi 16 pikë e Dusha 15 pikë. Për armenët u dalluan Spight me 31 pikë e Jones me 22 pikë, ndërkohë që Shqipëria dominoi lojën nën tabelë (51 rebound kundrejt 30 të kundërshtarit).