Ka përfunduar java e 21-të dhe e fundit e sezonit të rregullt në basketboll për femra, me Flamurtarin kampion që mundi 74-71 Tiranën. Një ndeshje e ekuilibruar mes dy ekipeve më të mira këtë sezon, që u vendos pas kohës shtesë në favor të vlonjateve.
Sfidë e hapur, ku herë udhëhiqte njëra skuadër e herë tjetra. Në kohën shtesë, Flamurtari arrin të tregohet më i saktë dhe fiton falë 22 pikëve të Tea Memushi. Për Tiranën u dallua Gonzalez me 22 pikë, por që s’mjaftuan për të fituar.
Fitore të lehtë korri ekipi i Partizanit, që mposhti Barleti Basket me shifrat 70-48. Skuadra e “kuqe” u shkëput që në fillim dhe më pas administroi avantazhin, duke e merituar fitoren. Lazo me 20 pikë ishte shënuesja më e mirë për Partizanin, që mbetet në vendin e tretë.
Nuk zhgënjen as Vllaznia, që mundi thellë 102-38 Elbasanin, ndeshje në sens unik. Për shkodranet u dallua Rreshpja me 47 pikë. Ekipi i Studentit mundi 70-51 Teuta Basket në “Asllan Rusi”, duke u konfirmuar forca e pestë. Për kryeqytetaset u dallua Gjergji me 21 pikë e 16 rebound.
Kategoria e Parë-Femra, java e 21-të
Partizani – Barleti Basket, 70-48
Studenti – Teuta Basket, 70-51
Flamurtari – Tirana, 74-71
Vllaznia – Elbasani, 102-38
Renditja: Flamurtari 41 pikë, Tirana 39 pikë, Partizani 37 pikë, Vllaznia 33 pikë, Studenti 29 pikë, Teuta 28 pikë, Elbasani 24 pikë, Barleti Basket 21 pikë.