Basketbollistet e Bashkimit janë kampione të Superligës së Kosovës. Ato edhe në ndeshjen e tretë finale të “Play-off”-it e kanë mposhtur Prishtinën me rezultat 72:53.
Prizrenaset e nisën lojën shumë mirë. Të parat shënuan dhe krijuan epërsi të cilën me lojë të mirë në pjesën e parë e shtonin gjithnjë e më shumë. Me shifrat 37:22 skuadrat shkuan në pushim.
Pjesa e dytë nisi me lojë agresive të prishtinaseve, të cilat me mbrojtje të ngjeshur dhe me efikasitet në sulm arritën ta ngushtojnë epërsinë deri në 7 pikë. Megjithatë me rezultat 51:42 përfundoi çereku i tretë.
Loja e mirë e prishtonasve u prit edhe në dhjetëminitëshin e katër, por nuk ndodhi kjo. Vendëset u përqëndruan më shumë në lojë dhe e fituan këtë periudhë ne shifrat 21:11.
72:53 ishte rezultati përfundimtar i kësaj përballjeje, në të cilën tek vendëset u dallua Adrianne Godbold me 26 pikë e 11 kërcime, që njëherësh u shpall edhe MVP i ndeshjes; për fitren e Bashkimit kontribuuan edhe Arbnore Përçuku me 13 pikë e 11 asistime, Sarah Megbeike me 10 pikë e 15 kërcime dhe Diedona Halitaj me 15 pikë.
Ndërkaq, te kryeqytetaset u dalluan Jade Williams me 15 pikë e 11 kërcime dhe Malvina Haziri me 15 pikë të shënuara.
Pas përfundimit të ndeshjes fillimisht lojtareve të Prishtinës iu ndanë medaljet e argjendta, ndërsa lojtareve të Bashkimit medaljet e arta. Më pasatj, kryetari FBK-së, Arben Fetahu kapitenes së Bashkimit ia dorëzoi Kupën e Kampionit.
Përndryshe, ky është suksesi i dyfishtë i Bashkimit në edicionin 2023-2024. Pas rrëmbimit të Kupës së Kosovës, kjo skuadër fitoi edhe kupën tjetër - atë të titullit kampion në Superligën e femrave.
Urime kojtareve, trajnerëve, kryetarit të klubit me stafin e tij dhe të gjithë qytetarëve të Prizrenit.