Shqipëria e mbyll grupin në vend të fundit

Basketboll

Shqipëria e mbyll grupin në vend të fundit

Më: 18 korrik 2024 Në ora: 12:19
Pamje nga ndeshja

Shqipëria U-20 e basketbollit të djemve ka pësuar humbjen e katërt në Divizionin B të Kampionatit Europian që po mbahet në Pitesht të Rumanisë që prej datës 12 korrik.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Glen Prodani u mundën dje nga Estonia me rezultatin 72-80, duke e mbyllur në vend të fundit në Grupin D.

Ndeshja nisi e ekuilibruar në minutat e para, por më pas estonezët u shkëputën gradualisht për ta fituar periodën e parë 16-30. Edhe çereku i dytë ishte më i mirë për Estoninë, që arriti të fitonte 14-18, duke thelluar në shifra të përgjithshme në 30-48 pas gjysmës së ndeshjes.

Edhe me rikthimin në parket për periodën e tretë loja foli për Estoninë, që e fitoi këtë fraksion 14- 17, duke e thelluar avantazhin në 44-65 pas 30 minutash.

Megjithatë, ndonëse përmbysja duket e pamundur për Shqipërinë, kuqezinjtë nuk dorëzohen dhe zhvillojnë një periodë të katërt mjaft të mirë të cilën e fitojnë 28-15, por në shifra të përgjithshme triumfi shkon me +8 pikë për Estoninë.

Për sa u përket paraqitjeve individuale, Alksis Nika zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, duke merituar vlerësimin MVP, teksa regjistroi 22 pikë, 9 kërcime dhe 2 asistime në 31 minutat që u aktivizua. Dopioshifër pikësh edhe për Andri Jarecin (12) dhe Arden Begajn (11). Shqipëria tashmë do vijojë me përballjet për klasifikimin final të vendeve 17/21.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat