Vajzat kuqezi festojnë në Prishtinë

Basketboll

Vajzat kuqezi festojnë në Prishtinë

Më: 25 korrik 2024 Në ora: 14:02
Shqipëria U-18

Shqipëria U-18 e vajzave ka marrë fitoren e parë në Divizionin C të Kampionatit Europian të Basketbollit që po mbahet në Prishtinë.

Vajzat kuqezi shkëlqyen në ndeshjen e djeshme kundër Armenisë, duke triumfuar me rezultatin 64-50 (20-18, 14-6, 16-18, 14-8), sfidë e vlefshme për Grupin B.

Kombëtarja e drejtuar nga trajnerja Mirza Alibegaj nuk e vendosi në asnjë moment në diskutim suksesin, teksa ishte gjatë gjithë kohës në avantazh, duke marrë edhe fitoren e merituar.

Për sa i përket paraqitjeve individuale, protagonistja absolute e ndeshjes ishte Martina Haxhiu, e cila bëri diferencën, duke merituar vlerësimin MVP, teksa regjistroi 20 pikë dhe plot 26 kërcime. Spikatën gjithashtu edhe Dhimitra Angjelakidhu me 14 pikë e 4 kërcime si dhe Emily Tërshalla me 9 pikë e 10 kërcime.

Kjo ishte ndeshja e dytë për Shqipërinë në Europian, pas humbjes në debutim kundër Azerbajxhanin në shifrat 53-72. Sot në orën 17:00 vajzat kuqezi do të zbresin në parket për ndeshjen e tretë dhe të fundit në grup, teksa përballë do të kenë Gjeorgjinë në një sfidë që vlen kualifikimin për në gjysmëfinale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat