Kuvendi i Rregullt Zgjedhor i Federatës së Basketbollit të Kosovës ku edhe do të zgjedhet kryetari i ri i saj do të mbahet më 30 gusht. Tashmë edhe zyrtarisht, kandidati i vetëm për këtë pozitë është kryetari aktual Arben Fetahu.
Ai ka thënë se nominimi i tij është bërë nga të gjithë anëtarët e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe se kjo është rezultat i punës së mirë që është bërë gjatë këtyre katër viteve.
Fetahu: Besimi i madh më jep më shumë përgjegjësi
“Është e vërtetë që unë jam i vetmi i nominuar dhe ajo që më jep kënaqësi të veçantë është fakti që jam i nominuar prej të gjithë anëtarëve të Federatës së Basketbollit të Kosovës pa përjashtim. Besoj që ky është një testament i asaj që kemi bërë në këto vitet e fundit, punës së madhe që është bërë, jo prej meje por prej të gjithë komunitetit...Kjo natyrisht që nuk më jep qetësi dhe nuk më bënë të jem në një pozitë më komfore por do të më shtyjë që të veproj edhe me më shumë përgjegjësi për ta arsyetuar besimin që ma kanë dhënë”, thotë Fetahu.
Emri i tij si i vetëm për këtë pozitë është parë edhe si imazh jo i mirë dhe jo demokratik, por në një intervistë për KosovaPress, Fetahu ka thënë se brenda kësaj federate nuk ka aspak autokraci sepse federata ka sistem të hapur të kandidimit.
Fetahu: Në FBK nuk ka autokraci
“Nuk është çështje diktati apo nuk është çështje e tiranisë apo e mungesës së demokracisë, është thjeshtë fakti që kemi punuar jashtëzakonisht shumë. Nëse e marrim dhe bëjmë një vlerësim të asaj se ku ka qenë basketbolli në vitin 2018 e ku është në vitin 2024, besoj që edhe ai publiku i cili mund të mos i kuptojë të gjitha dinamikat e sportit, e kupton se çfarë ngritje të madhe kemi pasur...Ne nuk e kemi sistemin e mbyllur të kandidimit, jo sikur disa federata të tjera ku votohet në baza të ndryshme me lidhje rajonale apo shoqata të ndryshme, ne e kemi sistemin e hapur në bazë të së cilit secili anëtar i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka të drejtë ta bëjë një nominim”, bëri të ditur Fetahu.
Duke pritur që të konfirmohet sërish në krye të FBK-së, Fetahu thotë se në mandatin e ri do të luftojë fuqishëm në përmirësimin e infrastrukturës.
Fetahu: Do të luftojmë për infrastrukturë të re për basketbollin
“Ne do të luftojmë me ngulm që ta kemi një avancim të infrastrukturës sportive, por mund të mos jetë tërësisht në dorën e Federatës së Basketbollit të Kosovës për shkak se ne nuk e kemi kapacitetin për ta zhvilluar këtë vet. Pikat tjera janë krejtësisht të arritshme brenda kësaj periudhe katër vjeçare, nuk do të jenë të lehta por kanë të bëjnë me trajner me 3x3, me shtrirjen e basketbollit për të gjithë, do të thotë do ta kemi një konglomerat veprimtarishë të cilat në fund duhet na rezultojnë me diçka që është më e kapshme pas katër vitesh”, thekso Fetahu.
Përtej kuvendit, FBK është edhe në procesin e licencimit të klubeve, gjë për të cilën Fetahu thotë se është duke përfunduar dhe se shumica e klubeve e kanë kaluar këtë proces.
Fetahu: Shumica e klubeve i kanë përmbushur kushtet e licencimit
“Shumica dërmuese e klubeve veç kanë kaluar nëpër këtë proces, i kanë përmbushur të gjitha kushtet. Jemi në pritje të disa klubeve të caktuara për t’i sjellë ato dokumente, për ta përmbushur këtë proces të licencimit, por në parim, çdo vit po shkon pak më lehtë se vitin e kaluar”, theksoi Fetahu.
Në rast të moslicencimit, Fetahut thotë se klubet rrezikojnë suspemndimin nga garat.
Fetahu: Moslicencimi sjellë suspendimin e klubit nga gara
“Pasojat për klube mund të jenë mospjesëmarrja në gara, kjo është kryesorja. Nëse nuk licencohesh, atëherë nuk merr pjesë në gara. Ne e kemi për obligim që t’i suspendojmë nga çfarëdo aktiviteti të gjitha klubet të cilat nuk e kalojnë procesin e licencimit”, tha në fund Fetahu.