Rinovojnë skuadrat me basketbollistë amerikanë

Basketboll

Rinovojnë skuadrat me basketbollistë amerikanë

Më: 13 shtator 2024 Në ora: 11:55
Pamje nga një ndeshje

Merkato e basketbollit ka qenë shumë interesante ditët e fundit, teksa dy skuadra kanë bërë mjaft lëvizje këtë periudhë. Më konkretisht, Vllaznia e Besëlidhja kampione kanë sjellë mjaft basketbollistë të huaj e jo vetëm.

Kështu, te kampionët lezhjanë janë konfirmuar afrimet e tri basketollistëve amerikanë. Bëhet fjalë për Marcellus Garrick, Xander Boëers dhe Joshua Angle, ndërkohë që ekipi i trajnerit Bilali është përforcuar edhe me dy lojtarë shqiptarë: Lion Alimani e Xhersido Hajdari.

Mjaft aktive ka qenë në merkato edhe Vllaznia, që ka sjellë në Shkodër plot 4 basketbollistë amerikanë. Ata janë Michael Lenoir, Maurice Walton, Maurice Hodge Jr. dhe Michael Wright. Klubi ka punuar për të risjellë në vendlindje edhe dy shkodranë, Elian Memcaj dhe Robert Shestani.

Ndërkohë, skuadra e Tiranës në basketboll për femra ka rikonfirmuar edhe për një sezon shqiptaro-amerikanen Marina Bojka, një nga lojtaret më të dalluara të sezonit të kaluar.

Ndryshime edhe në stolin e Flamurtarit në basketboll për meshkuj, ku në drejtim të skuadrës është afruar Ilir Meli. Një ikonë e këtij klubi, që ka mbrojtur më herët ngjyrat e këtij ekipi dhe tani debuton si trajner.

Besëlidhja

Marcellus Garrick, Xander Bowers, Joshua Angle, Lion Alimani, Xhersido Hajdari.

Vllaznia

Elian Memcaj, Michael Lenoir, Maurice Walton, Maurice Hodge Jr., Robert Shestani, Michael Wright.

Tirana

Marina Bojka

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat