Trepça triumfon ndaj Keravnos në kualifikimet e Champions League

Basketboll

Trepça triumfon ndaj Keravnos në kualifikimet e Champions League

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 15:14
Trepça

Trepça ka fituar ndeshjen e parë kualifikuese në Champions League.

Në Antalia të Turqisë, mitrovicasit fituan ndaj skuadrës qipriote, Keravnos 82:79 (23:14, 21:30, 19:12, 19:23).

Ndeshja në fakt ka qenë shumë interesante, duke u vendosur në çastet e fundit.

Kampionët e Kosovës e nisën shumë më mirë ndeshjen, duke e fituar çerekun e parë 23:14, por kundërpërgjigja e qipriotëve nuk vonoi shumë, ku pjesa e parë përfundoi baras, 44:44.

‘Xehetarët’ sërish ishin më të mirë në periodën e tretë, por Keravnos u rikthye, duke e bërë ndeshjen shumë interesante.

Vendimtar ishte treshja e MVP së Superkupës, Desmond Cambridge për 80:79, kurse dy pikët nga Malik Johnson nga gjuajtja e lirë ngritën epërsinë në 82:79, derisa basketbollistët e Keravnos, në aksionin e fundit tri herë tentuan për tri pikë, por pa sukses.

Te Trepça u dalluan Mikaile Tmusiq me 20 pikë e gjashtë kërcime, Desmond Cambridge me 22 pikë dhe Samuel Hunter me 10 pikë e gjashtë kërcime.

Trepça të premten do të ndeshet me kampionin e Çekisë, Nymburk.

Nëse arrin në finale, Trepça do të luajë përballë fituesit nga takimet në mes të: Kutaisi (Gjeorgji), Levice (Sllovaki) e Kalev/Cramo (Estoni).

Në kualifikime janë 24 skuadra që do t’i bashkohen 28 skuadrave që tashmë janë përcaktuar për edicionin e ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat