Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) vazhdon të punojë me intensitet për fuqizimin e vajzave dhe grave në basketboll, duke ndjekur me përkushtim strategjinë e saj për të mbështetur dhe inkurajuar rritjen e tyre, si brenda ashtu edhe jashtë fushës së lojës. Ky angazhim është mbështetur maksimalisht nga Kryetari, Bordi i FBK-së dhe Sekretarja e Përgjithshme të cilët e konsiderojnë zhvillimin e vajzave dhe grave një prioritet të rëndësishëm.
Gjatë verës së vitit 2024, vajzat dhe gratë e komunitetit të basketbollit në Kosovë kanë pasur role kyçe dhe me përgjegjësi të larta.
Lorena Haxha dhe Edita Lutfiu përfaqësuan me sukses FBK-në në edicionin e 17-të të FIBA Women's Basketball Summit, të mbajtur në Slloveni, një kamp i organizuar nga FIBA Europa dhe Federata e Basketbollit të Sllovenisë, me qëllim ngritjen e nivelit të trajnerëve dhe gjyqtareve.
Organizimi i pesë eventeve ndërkombëtare gjatë kësaj vere nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e jashtëzakonshëm të ekipit të Zyrës Ekzekutive në thekës të veçantë, vajzat e zyrës.
Artina Hasani, Menaxhere e Eventeve, ka bërë një punë të palodhshme në koordinimin e organizimeve, duke treguar përkushtim dhe profesionalizëm të lartë. Ndërkohë, Asistentja Ekzekutive, Rrezarta Kqiku, ka menaxhuar me efikasitet mediat, duke sjellë tek publiku çdo moment të rëndësishëm të kësaj supervere.
Një tjetër rol i rëndësishëm i është besuar Enea Hajdari, e cila ka qenë kyçe në matjen e impaktit të pesë organizimeve, duke siguruar të dhënat e nevojshme për vlerësim dhe përmirësim të mëtejshëm.
Ndërkohë, Edita Medunjanin, Menaxhere e Projekteve, me sukses vazhdon ta udhëheq projektin PROMISE, për fuqizimin e grave dhe vajzave në basketboll. Ndërsa si pjesëmarrëse e Programit Evropian të Lidershipit Rinor nga FIBA, Medunjanin ka organizuar dy side events të rëndësishme gjatë Kampionatit për Shtetet e Vogla dhe Kampionatit U-18 të organizuara në Kosovë, duke përfshirë një seancë stërvitore për vajzat e gjeneratave të reja dhe shfaqjen e një dokumentari inspirues nga vajzat dhe grat e shteteve pjesëmarrëse në PROMISE Project.
Menaxhimi i financave ka qenë një element kyç për suksesin e këtyre aktiviteteve, dhe Nadire Kajasahi, Menaxhere e Financave, ka treguar edhe një herë se është personi i duhur për të siguruar një menaxhim të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të burimeve financiare.
Kosova, në konkurrencën e femrave këtë vit, është paraqitur me pesë përfaqësuese: Përfaqësuesja Seniore, U-18, U-16, dhe dy ekipe në 3x3 për FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier dhe FIBA 3x3 Women’s Series, duke treguar një përkushtim të veçantë për avancimin e basketbollit për femra në arenën ndërkombëtare.
Në çdo ekip përfaqësues të vajzave të Kosovës, kanë qenë të angazhuara gra dhe vajza të cilat kanë demonstruar përkushtim të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm të lartë në çdo aspekt të punës së tyre. Në cilësinë e ndihmës trajneres, Edona Thaqi, Aurora Muhaxheri, Valbona Bytyqi dhe Melda Baliq.
Gjithashtu, Beriana Makolli, si fizioterapiste, ka luajtur një rol kyç në mirëmbajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së lojtareve, duke ofruar mbështetje të specializuar mjekësore dhe kujdes për të siguruar rikuperimin dhe përgatitjen optimale të ekipit për çdo ndeshje.