Njëri ndër basketbollistët më të mirë që ka shkelur në parketet kosovare, Drilon Hajrizi ka qenë kryetemë gjatë ditëve të fundit.
Shumë lajme qarkulluan se basketbollisti Hajrizi do të largohet nga Trepça.
Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar vetë klubi mitrovicas, duke thënë se Hajrizi do të mbetet pjesë e klubit.
Por, një ndryshim do të ndodhë, sipas njoftimit të KB Trepçës në rrjetin social “Facebook”.
Hajrizit i është hequr shiriti i kapitenit, derisa do të zëvendësohet nga Anes Gashi në këtë pozitë.
Bërja e Hajrizit kapiten, pas pensionimit të Valdrin Haxhiut, kishte shkaktuar një problem të madh edhe mes tifozërisë “Torcida”, e cila ishte ndarë në dy pjesë sa i përket kësaj situate.
Ky problem mes Hajrizit dhe tifozërisë mitrovicase daton që nga transferimi i Drilon Hajrizit te Sigal Prishtina. Atë botë, basketbollisti në fjalë nuk ishte i dëshiruar për “Plisat” dhe kësisoj ishte ‘detyruar’ të postojë një reagim në “Facebook”, duke shprehur kënaqësinë e tij që do të jetë pjesë e “klubit më të madh në Kosovë”.
Kështu, “Torcida” e quajti tradhtar dhe prej asaj kohe, ai e ka humbur respektin e një pjese të kësaj tifozërie, pasi njëra pjesë vendosi t’ia falë.
Trepça sezonin e kaluar fitoi çdo trofe të mundshëm në basketbollin kosovar, me Drilon Hajrizin si një nga lojtarët më të mirë në parket.
Mirëpo, këtë edicion ai s’do të jetë në gjendje t’i ndihmojë edhe për pak kohë, për shkak të problemeve shëndetësore.