Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) është përzgjedhur nga FIBA Evropa për të organizuar dy ngjarje të rëndësishme në vitin 2025: FIBA U14 Get-Together dhe takimin e Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës (FIBA Europe Youth Commission).
FIBA U14 Get-Together është një ngjarje e përvitshme, e cila organizohet nga FIBA Evropa në bashkëpunim me një Federatë Nacionale. Kjo ngjarje ka për qëllim edukimin e trajnerëve të rinj, duke ndikuar në zhvillimin e basketbollistëve dhe basketbollisteve të gjeneratave të reja. Në vitin e ardhshëm, Kosova do të mirëpresë rreth 100 trajnerë nga e gjithë Evropa, ndërsa ligjëruesit do të jenë figura të njohura të basketbollit, të specializuar në edukimin e trajnerëve të rinj.
Ndërkaq, takimi i Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës do të sjellë në Kosovë, Kryetarë dhe Sekretarë të Federatave Nacionale nga i gjithë kontinenti. Ky Komision, i udhëhequr nga Kryetari i FIBA Evropës, z. Jose Garbajosa, dhe Drejtori Ekzekutiv, z. Kamil Novak, është përgjegjës për zhvillimin e strategjive për avancimin e basketbollit për të rinj në Evropë. Kryetari i FBK-së, z. Arben Fetahu, i cili është Nënkryetar i këtij Komisioni, do të jetë nikoqir i takimit, duke përfaqësuar denjësisht Kosovën në këtë forum të lartë.
Ky organizim i ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare dëshmon edhe një herë për angazhimin dhe përkushtimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës në promovimin e basketbollit dhe ngritjen e kapaciteteve të trajnerëve dhe të rinjve në sport.