​Fetahu zbulon arsyet e largimit të Hadar dhe pasuesin e tij në krye të Kosovës

Basketboll

​Fetahu zbulon arsyet e largimit të Hadar dhe pasuesin e tij në krye të Kosovës

Më: 9 tetor 2024 Në ora: 15:10
Arben Fetahu

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka mbetur pa trajner pasi që krejt papritur, izraeliti Rami Hadar ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe Federata e Basketbollit të Kosovës përmes një komunikate zyrtare.

Për arsye e largimit të tij, ka folur ekskluzivisht për KosovaPress, kryetari Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu. Ai ka thënë se trajneri izraelit ka kërkuar që të largohet për arsye personale, duke përfshirë edhe zhvillimet e fundit që po ndodhin në vendin e tij.

Fetahu: Hadar kërkoi të lirohet për arsye personale

“Ka qenë vendim i papritur edhe për mua, edhe për ne në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Trajneri Hadar ka kërkuar që për arsye personale të tërhiqet nga pozita e selektorit, ne e kemi pranuar kërkesën e tij gjatë ditës së djeshme, e kemi edhe komunikimin zyrtare me atë që e pranojmë kërkesën e tij për dorëheqje. Arsyet janë sigurisht subjektive, ne kemi bashkëndjerë më atë që trajneri Hadar ka përjetuar gjatë gjithë këtij viti të fundit në kuptim të trazirave dhe gjithçka rreth asaj që po ndodh në Izrael dhe përfundimisht kërkesa e tij me shkrim ka qenë që për arsye personale dëshiron të tërhiqet”, shpjegoi fillimisht Fetahu.

Tri ditë më parë, Hadal dha një deklaratë ku kishte shprehur se kishte shumë pakënaqësi me zhvillimet në basketbollin e Kosovës dhe Fetahu pranoi se një deklaratë e tillë ishte paralajmërim se ai do të largohet.

Fetahu: Deklaratat e fundit të Hadar ishin paralajmërim për largimin e tij

“Sigurisht që trajneri Hadar e ka marrë këtë vendim para së të jap një deklaratë të tillë, ky është një hamendësim i imi sepse personalisht nuk kam biseduar me atë pas gjithë asaj që ka ndodhur, por nga informatat që kam, ai e ka ditur që dhënia e një deklarate të tillë është një paralajmërim për Federatën e Basketbollit të Kosovës që do të ndahen rrugët me kaq dhe ajo që unë mund t’iu dhe me 100 përqind siguri është se zyrtarisht ai ka kërkuar të dorëhiqet për arsye personale”, shtoi Fetahu.

Fetahu gjithashtu njoftoi se tashmë janë duke u analizuar emrat që mund të vijnë në krye të Kosovës për ta zëvendësuar Rami Hadar-in.

Fetahu: Po analizojmë emrat për trajnerin e ri të Kosovës

“Ajo që mund t’iu them në këtë moment se të gjithë trajnerët, edhe vendor edhe ndërkombëtar jemi duke i konsideruar me shumë kujdes edhe duam që ta bëjmë përzgjedhjen më të mirë. Natyrisht unë i vlerësoj shumë pjesëtarët e shtabit teknik që janë brenda shtabit teknik vendor edhe trajnerët ndërkombëtarë ne kemi vazhdimisht oferta për bashkëpunim prej trajnerëve me shumë renome jashtë vendit...Jemi duke i vlerësuar të gjitha opsionet, nuk mund të them më shumë se kaq sepse vërtetë kjo është ngjarje para dy ditësh dhe jemi ende duke i marrë propozimet, duke biseduar me njerëz dhe duke marrë vlerësimet më të mira të mundshme, se a do të shkojmë me trajner vendor apo ndërkombëtar mbetet të shihet javën tjetër”, theksoi në fund Fetahu.

Ndërkohë, ndeshjet e ardhshme për Dardanët janë në muajin nëntor, kundër Zvicrës dhe Irlandës për parakualifikimet e Kupës së Botës 2027.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat