Besëlidhja e Tirana në fron

Basketboll

Besëlidhja e Tirana në fron

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 12:39
Pamje nga një ndeshje

Basketbolli shqiptar është gati për edicionin e ri, teksa këtë fundjavë do të nisin kampionatet kombëtare 2024-2025.

Pas një sezoni eksperimental me të gjitha ekipet të grupuara në një kategori të vetme, këtë edicion meshkujt rikthehen me dy kategori. Besëlidhja kampione, Teuta, Tirana, Vllaznia, Kamza dhe Apolonia do të formojnë Superligën, nivelin më të lartë të sportit të koshit në Shqipëri. Kampionati do ta ngrejë siparin të shtunën në Shkodër, me takimin ndërmjet Vllaznisë dhe Teutës në orën 18:00.

Një sfidë tepër interesante me dy skuadra që vijnë me ambicie dhe me disa lojtarë huaj në gjirin e tyre.

Java e parë do të vijojë të dielën, teksa në orën 18:00 në parket do të zbresin kampionët në fuqi të Besëlidhjes. Skuadra e Afrim Bilalit, do ta nisë në transfertë kundër Apolonisë në Fier, sallë që vetëm pak ditë më parë i pa lezhjanët të festonin triumfin në Superkupë.

Besëlidhja mbetet favorite për rikonfirmimin në fron, edhe pse parashikohet një kampion më rivalitet, ndryshe nga ai i vitit të kaluar ku lezhjanët e mbyllën të pamposhtur, duke dominuar totalisht. Ndeshja mbyllëse e javës së parë do të jetë po të dielën, teksa Tirana dhe Kamza do të matin forcat në sallën “Farie Hoti”. Me 33 tituj kampionë, Partizani është skuadra rekordmene e basketbollit shqiptar, ndërsa pas të kuqve vijnë Tirana me 21 tituj dhe Vllaznia me 9.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat