Një prej skuadrave me histori të pasur në ngritjen e nivelit të baskebollit ka shuar aktivitetin.
Klubi Basketbollistik Drita nuk ekziston më.
Për këtë vendim të rëndë të skuadrës ku ishte kapiten, ka bërë të ditur përmes facebook-ut, Qëndrim Demi.
“Përfundon rrugëtimi i klubit të basketbollit “Drita” meshkujt . Një klub me një histori të pasur dhe një trashëgimi të ndërtuar me mund e përkushtim nga breza të tërë, sot po mbyll kapitullin e tij të rëndësishëm në fushën e sportit”, e ka nisur njoftimin e “zi” basketbollisti gjilanas.
“Drita nuk ishte vetëm një klub, ishte simbol i pasionit dhe i bashkimit të komunitetit tonë. Ishte vendi ku qindra të rinj u formuan, ku fëmijët dhe të rinjët e gjetën shpresën dhe krenarinë përmes sportit. Mirëpo, për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së mbështetjes së duhur, ky udhëtim ka ardhur në fund”, ka shtuar tashmë ish-kapiteni i “Intelektualëve”
Ai e mbyll postimin e tij me shpresën se një ditë klubi ikonik i Gjilanit të rilindë.