Në një ndeshje interesante, që u vendos në vazhdime, Vëllaznimi ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me rezultat 78:67 (17:9, 18:22, 18:16, 12:18, 13:2), në javën e nëntë të ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke fituar çerekun e parë 17:9, derisa në periudhën e dytë, mysafirët për një nuancë ishin më të mirë, 18:22, për të shkuar në pushim me shifrat 35:31.
Kuqezinjtë në pjesën e dytë kishin epërsi deri në 12 pikë, por në fund të çerekut të tretë u rikthyen prizrenasit, ku shifrat pas 30 minutash ishin 53:47.
Në dhjetëminutëshin e katërt, u zhvillua lojë e barabartë, duke përfunduar 65:65, ku asnjëra skuadër nuk arriti të fitonte, duke bërë që takimi të shkojë në vazhdime, ku shkëlqyen vendasit 13:2 dhe fituan sfidën 78:67.
Më i miri te vendasit ishte Michael Nuga me 25 pikë, katër kërcime e tri asistime, derisa te mysafirët më i miri ishte Lejson Zeqiri me 19 pikë.
Vëllaznimi ka katër fitore e pesë humbje, ndërsa për Bashkimin është humbja e dyt.