Francezi Jean-Denys Choulet do të jetë në krye të Kombëtares së Kosovës në basketboll për tri vitet e ardhshme.
Choulet u prezantua në një konferencë për media nga sekretarja e Federatës së Basketbollit, Elvira Dushku dhe koordinatori i Kombëtares, Adriatik Rraci.
Choulet tha se vendosi që të marrë drejtimin e Kosovës me synimin për ta rritur nivelin e paraqitjeve të mira në arenën ndërkombëtare dhe se këtë do të kërkojë ta nis me ndeshjen e 24 nëntorit kundër Zvicrës.
Ai shtoi se puna e tij do të jetë e fokusuar në ndërtimin e një grupi që punon së bashku me përkushtimin më të madh duke përfshirë edhe basketbollistë të rinj vendorë dhe se në kombëtare do të ofrohen vetëm ata që japin maksimumin në parket.
Choulet: I lumtur që i bashkohem Kosovës
“Jam i lumtur që i bashkohem Kombëtares dhe shpresoj se do të ia dalim dhe do të përpiqemi të kualifikohemi. Para së gjithash fokusohemi në dy ndeshjet e ardhshme, kemi veçanërisht ndeshjen e parë kundër Zvicrës dhe më pas duhet të fluturojmë për në Irlandë. Është kënaqësi për mua të jem këtu dhe të punoj me djemtë vendas, dhe kam parë dy ose tre ndeshje dje dhe një ditë më parë, dhe jam përpjekur të mësoj pak për basketbollin në Kosovë dhe mendoj se ishte një lëvizje e mirë sepse pashë disa lojtarë dhe di ndoshta si t'i përdor në ekipin kombëtar, kështu që do të bëjmë pak stërvitje përpara se të largohemi”, tha Choulet.
Sa i përket objektivave, trajneri francez theksoi se ballafaqimi me Zvicrën është shumë i rëndësishme për të nisur këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë të mundshme.
Choulet: Zvicra rival i fortë
“E njoh basketbollin zviceran, nuk di asgjë për Irlandën. Unë e njoh basketbollin zviceran sepse siç i thashë Adriatik-ut, një nga miqtë e mi të mirë është një shef i madh i basketbollit zviceran, ne luanim së bashku në stërvitje kemi luajtur së bashku dhe tani ai është një bos i madh i basketbollit zviceran, kështu që do ta shohim në ndeshjen e radhës, e di se basketbolli zviceran po bëhet më i mirë, ata morën disa lojtarë të NBA-së... ata arritën kampionatin më mirë, dhe ajo që ata bëjnë në Fiba Euro Cup nuk është e keqe, dhe unë mendoj se ne duhet ta marrim këtë lojë vërtet seriozisht sepse nuk është e lehtë për të fituar çdo lojë në rrugë. Nuk më intereson çfarë ka ndodhur më parë në Kosovë apo [si ka qene] basketboll më parë, nuk është problem, gjithçka që dua të bëj është të përpiqem të gjej lojtarët më të mirë, t'i bashkoj ata, të argëtohemi së bashku të luajmë fort në fushë, kjo është ajo që unë kërkoj, dhe përpiqem për t'i ndihmuar ata djem... të luajnë në mbrojtje. E di që luajnë në mbrojtje”, tha në fund Choulet.
Rraci: Presim impakt të menjëhershëm nga trajneri i ri
“Ne kemi pasur disa opsione që nga largimi i ish-trajneri Rami Hadar kemi qenë në diskutime me disa trajnerë, mirëpo në fund kemi vendosur për trajnerin Choulet. Janë të shumta arsyet pse kemi vendosur për atë. Një ndër arsyet kryesore është karriera dhe eksperienca e tij në basketboll duke shpresuar që me eksperiencën e tij dhe me atë që ai ka kaluar në basketboll do të jetë i aftë që të vijë në Përfaqësuesen e Kosovës dhe në një kohë shumë të shkurtër të arrijë që të shtrijë impakt dhe të ketë efekt të menjëhershëm prezenca e tij”, tha Rraci.
Choulet vjen në krye të Kosovës si pasues i izraelitit Rami Hadar, i cili dha dorëheqje pas rezultateve jo të mira me Kosovën në garat evropiane.