“Nuk ishte nata jonë” kishte deklaruar kapiteni i Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, pas disfatës së thellë 75:43 të enjten mbrëma në Bernë të Zvicrës.
Kosova shfaqi njërën prej ndeshjeve më të dobëta.
Vetëm gjashtë pikë kishin shënuar “Dardanët” në çerekun e dytë, ndërsa vetëm tri pikë në dhjetëminutëshin e fundit.
Dhe disfata në fund ishte e pashmangshme.
Menjëherë pas ndeshjes së vështirë ndaj Zvicrës që nuk shquhet për nivel të lartë të basketbollit, te Kosova synojnë këndelljen në një tjetër udhëtim.
Të dielën nga ora 18:00, Kosova e drejtuar nga selektori francez, Jean-Denys Choulet, luan kundër Republikës së Irlandës në Dublin, në kuadër të Grupit A të raundit parakualifikuese për Kupën e Botës 2027.
Zvicra prinë me gjashtë pikë në grupin me katër skuadra.
Në tri ndeshje ka po aq fitore. Irlanda në vendin e dytë, Kosova e treta dhe Azerbajxhani i fundit, kanë nga katër pikë, pas një fitoreje e dy humbjeve.
Kosova fitoren e vetme në kualifikimet aktuale për Kupën e Botës 2027 e kishte arritur më 22 shkurt të këtij viti pikërisht ndaj Irlandës, në fitoren 83:76.
Më 25 shkurt pësoi humbje me dhjetë pikë dallim, 87:77, nga Azerbajxhani në Baku. Azerbajxhani në këtë muaj u mposht nga Irlanda 91:67.