Flamurtari thyen Tiranën në Vlorë

Basketboll

Flamurtari thyen Tiranën në Vlorë

Më: 27 nëntor 2024 Në ora: 11:35
Pamje nga ndeshja

Liga Unike e femrave ka hapur dje javën e dytë me ndeshjen ndërmjet Flamurtarit dhe Tiranës, sfidë që vendoste përballë përkatësisht nën-kampionet dhe kampionet e Shqipërisë.Vlonjatet nuk falën në fushën e tyre, duke marrë edhe suksesin e parë sezonal në kompeticionin mbarëkombëtarë të basketbollit. Kështu Flamurtari triumfoi në Vlorë në shifrat 66-68 pas një loje të luftuar dhe me rivalitet deri në çastet e fundit.

Bregdetaret e nisën më mirë, duke fituar periodën e parë 18-14, ndërsa thelluan edhe më shumë në çerekun e dytë, të cilin e morën 15-10, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin e përgjithshëm 33-24. Flamurtari e fillon më mirë edhe periodën e tretë, teksa e çon avantazhin deri në +15 pikë. Megjithatë, Tirana nuk dorëzohet dhe arrin të fitojë terren. Vajzat baradheblu e marrin periodën e tretë 14-16, ndërsa pas 30 minutash rezultatin në tabelë shënon 47-40.

Kryeqytetaset e trajneres Mirza Alibegaj luajnë fort edhe në periodën e fundit, duke arritur madje që të kalojnë edhe përpara në shifrat 51-52 rreth 7 minuta nga fundi. Takimi merr rrjedhë interesante, me rezultatin që qëndron gjithnjë i hapur me diferenca minimale në pikë. Flamurtari e bën diferencën në dy minutat e fundit, duke realizuar edhe shkëputjen vendimtare, për ta fituar periodën 19- 18, duke vulosur suksesin final me +8 pikë.

Desiree Ramos me 22 pikë, 9 kërcime dhe 4 asistime meritoi vlerësimin MVP, duke udhëhequr vendëset në këtë fitore. Për Tiranën shënueset më të mira ishin Enisa Qosja dhe Alexxus Davis me nga 15 pikë secila, por që nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën e dytë mbarëkombëtare për ekipin bardheblu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat