Bashkimi e pëson me dënim pas incidentit në ndeshjen ndaj Yllit

Basketboll

Bashkimi e pëson me dënim pas incidentit në ndeshjen ndaj Yllit

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 18:12
Pamje nga ndeshja

Ndeshja e xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në basketboll në mes të Bashkimit dhe Golden Eagle Yllit përfundoi me incident. Ndeshjen e së dielës në Prizren e fitoi Ylli me rezultat 72:69.

Me të përfunduar ndeshja, në fushën e lojës kanë hyrë disa tifozë vendas. Është krijuar një tollovi, ndërsa FBK-ja njofton se tifozët e Bashkimit kanë dashur të sulmojnë personat zyrtarë të ndeshjes.

“Pas përfundimit të lojës disa pjesëtarë të tifo-grupit ‘Arpaxhikët’ kanë hyrë në fushë duke tentuar sulmin ndaj treshes së gjyqtarëve dhe tavolinës zyrtare”, shkruan në informatorin e Superligës së basketbollit, të publikuar të martën.

Ndeshjen e kanë drejtuar Artan Gashi, Amar Gjekoviq dhe Dren Pudarolli.

Bashkimi është dënuar me 1000 euro dhe një ndeshje pa shikues, sipas nenit 51.18 të Propozicioneve të Garave. Ky nen parashikon këtë gjobë për “tentim të sulmit fizik ndaj lojtarëve, zyrtarëve të klubeve, gjyqtarëve, vëzhguesit apo personave zyrtarë nga persona jozyrtarë”.

Me 500 euro klubi prizrenas është gjobitur për “hedhje të gjësendeve të forta në fushë të cilat mund të shkaktojnë lëndime të lehta”.

Sipas raportit, në fushën e lojës është hedhur një mjet i fortë, ndërsa nuk është saktësuar se për çka bëhet fjalë.

Bashkimi është duke luftuar për titull të kampionit, ndërsa ka mbetur dy pikë prapa Trepçës, pas disfatës nga Golden Eagle Ylli. Trepça udhëheq me 22 pikë, ndërsa Bashkimi i ka 22. Ylli tani është i treti me 19 pikë.

Ekipi prizrenas në xhiron e ardhshëm është mysafir i Sigal Prishtinës, ndërsa pa shikues do ta luajë derbin me Pejën, që i takon xhiros së 14-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat