Elbasani nuk njeh ri valë në Kategorinë e Parë të basketbollit për meshkuj, teksa marshon me pikë të plota drejt rikthimit në Superligë. Verdheblutë fituan një tjetër përballje ndaj një kundërshtari direkt si Partizanit, duke i mposhtur të kuqtë me rezultatin e thellë 130-105 në takimin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”.
Një ndeshje që nisi me rivalitet, pasi kryeqytetasit u paraqitën mirë në periodën e parë, duke e marrë atë në shifrat 26-28. Për të zotët e shtëpisë bënë diferencën në çerekun e dytë, teksa fituan thellë 38-19, duke udhëhequr 64-47 pas 20 minutash lojë. Elbasani e vulosi sfidën në periodën e tretë, të cilën e fitoi 32-22, për të thelluar në 96- 69 pas 30 minutash.
Perioda e fundit mbeti vetëm sa për statistikë, ku të dyja ekipet treguan rendiment të lartë në sulm, fraksion që u mbyll 34- 36 për Partizanin, ndërsa në shifra të përgjithshme triumfi u takoi verdhebluve me 25 pikë avantazh. Duke kaluar në paraqitjet individuale, plot gjashtë lojtarë të Elbasanin shkuan në dopioshifër pikësh, ndërsa protagonisti absolut ishte David Thompson.
Amerikani meritoi vlerësimin MVP, duke regjistruar 44 pikë, 7 kërcime dhe 12 asistime. Për Partizanin nuk mjaftuan 39 pikët e 8 kërcimet nga Gerard Davis, si dhe 19 pikët e 12 kërcimet e kapitenit Abdel Gjyzeli.
Kjo ishte fitorja e dhjetë në po kaq ndeshje për elbasanasit, të cilët ecin të sigurt drejt elitës, ndërsa të kuqtë mbeten në vend të dytë. Java e dhjetë do të vijojë sot me takimin Skënderbeu-Flamurtari në orën 14:00 në Korçë, ndërsa të dielën në të njëjtën orë do të luhet ndeshja Fieri-Pogradeci.