Bora ka shënuar fitore shumë të rëndësishme ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultat 90:71 (22:10, 21:16, 21:21, 26:24), në javën e 13-të të ProCredit Superligës.
Se vendasit janë të vendosur për fitore, kjo u pa që në fillim, ku e nisën sfidën shumë më mirë, dhe e fituan çerekun e parë 22:10. Prishtinasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, për të thelluar më shumë epërsinë, për të shkuar në pushim me shifrat 43:26.
Bora thelloi më shumë epërsinë në periodën e tretë, ku më e larta ishte 26 pikë dallim, 61:35, megjithatë, prizrenasit ngushtuan paksa shifrat, ku pas 30 minutash rezultati në semafor ishte 64:47. Në dhjetë minutat e fundit, Bora arriti të ruajë epërsinë, përkundër tentimeve nga mysafirët dhe fitoi 90:71.
Te Bora u dalluan Jetmir Zeqiri me 13 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime, Adem Mekiq me 13 pikë e pesë asistime dhe Admir Memedi me 21 pikë, ndërsa te Proton Cable Prizreni më i miri ishte Lenzelle Smith me 28 pikë, dhjetë kërcime e gjashtë asistime.
Bora ka tri fitore e nëntë humbje, ndërsa Proton Cable Prizreni ka tri fitore e dhjetë humbje.