Tri humbje dhe vetëm një fitore nga katër ndeshjet e zhvilluara është bilanci i kombëtares së Kosovës në basketboll në kuadër të para-kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027.
Kjo ecuri negative e rezultateve gjatë 2024 konfirmoi dështimin absolut të dardanëve dhe vë në pah nevojën për ndryshime rrënjësore.
Njohës të basketbollit dhe përfaqësues të Federatës së Basketbollit (FBK) pranojnë se puna me grup-mosha të reja është rruga e vetme për ndryshimin e situatës.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu thotë për KosovaPress, se tani e tutje klubet e Superligës së Kosovës do të detyrohen përmes masave administrative të investojnë në grup-mosha të reja.
“Absolutisht po, madje edhe të imponohet fokusi dhe të imponojmë masa administrative me të cilat do të kërkojmë investime të mëtejme apo strukturimin e investimeve, të cilat i bëjnë te gjeneratat e reja duke imponuar kuota të caktuara të shpenzimeve të tyre prej buxhetit aktual të cilin e kanë. Është i parëndësishëm nëse buxheti juaj është 20 mijë apo dy milionë euro, një kuotë e këtij buxheti duhet të shkojë te gjeneratat e reja me patjetër. Ne nuk mund të vazhdojmë e të lejojmë që të gjitha investimet të bëhen thjeshtë për ekipin e parë”, ka thënë Fetahu.
Ish-basketbollisti, Ismet Ferati, thotë se është i habitur që te Kosova nuk po ftohen basketbollistë të rinj vendorë, derisa shton se shkollat e basketbollit duhet të angazhojnë njerëz që e njohin mirë këtë sport.
“Me të vërtetë është për t’u çuditur se si nuk kemi lojtarë të rinj, këtu mendoj në lojtar 21, 22, 23 vjeçar të cilët mund ta zënë vendin e Dardan Berishës, Drilon Hajrizit, Gëzim Morinës, Erion Kastratit dhe lojtarëve tjerë. Vetëm me punë mund të arrihen të gjitha që i ka Federata e Basketbollit dhe basketbolli i Kosovës në përgjithësi. Nëse nuk punojmë me gjenerata të reja mendoj se do të mbesim në këtë nivel që jemi. Nëse punojmë gjenerata të reja, nëse me gjeneratat e reja punojnë njerëzit e duhur e jo vetëm të hapen shkolla të basketbollit sa për sy e faqe dhe për përfitime, mendoj që ky është problemi kryesor i basketbollit të Kosovës”, ka theksuar Ferati.
Edhe ish-basketbollisti Artan Mehmeti konsideron se janë klubet ato që mund ta ndihmojnë përfaqësuesen nëse orientohen tek investimi në gjeneratat e reja.
“Federata duhet seriozisht të mendojë në ripërtëritjen e ekipit, është proces shumë i ngadalshëm, duhet shumë kohë, por duhet të ndodhë. Si ndihmesë në këtë proces mendoj që kanë të bëjnë më shumë klubet e Kosovës, të cilat duhet t’iu japin minuta më shumë lojtarëve vendorë, sidomos të rinjve dhe në saje të saj ata lojtarë zhvillohen, fitojnë përvojë, vetëbesim dhe hap pas hapi vijnë aty ku do ta përfaqësojnë përfaqësuesen e Kosovës. Mendoj se kjo mund të bëhet në të ardhmen, por duhet shumë punë nga lojtarët, shtabi teknik, njerëzit që në federatë dhe ne basketbolldashësit,” ka thënë Mehmeti.
Ndeshjet e ardhshme të Kosovës në kuadër të para-kualifikimeve do të jenë në muajin shkurt në Prishtinë përballë Azerbajxhanit dhe Zvicrës