​Fetahu: Jemi në krizë të rezultateve te përfaqësuesja A

Basketboll

​Fetahu: Jemi në krizë të rezultateve te përfaqësuesja A

Më: 7 janar 2025 Në ora: 10:32
Foto ilustrim

Ndonëse i kënaqur me nivelin e organizimit të garave vendore në basketboll, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu thotë se është i zhgënjyer me rezultatet e Përfaqësueses A gjatë vitit 2024.

Sipas tij, niveli i Superligës, por edhe sukseset e gjeneratave të reja, janë ato që kanë pasur ecuri pozitive në vitin e kaluar.

Fetahu: Kemi rritur nivelin e organizimit të garave vendore

“Në përgjithësi, kemi pasur një vit të suksesshëm. Mendoj që basketbolli ka shënuar rritje, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se kemi pasur ngritje të nivelit të organizimit të të gjitha garave dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Për Superligën e Kosovës në basketboll kemi pasur ngritje të theksuar gjatë periudhës 2023/24, kështu besoj se kemi përmbyllur një cikël të mirë sa i përket kësaj lige...Sa i përket gjeneratave të reja, ka pasur ngritje të numrit të klubeve, pjesëmarrësve, por duhet të punojmë edhe më shumë gjatë viteve në vijim për ta ngritur nivelin e garave”, thotë Fetahu.

Në një intervistë për KosovaPress, Fetahu thotë se Përfaqësuesja A e Kosovës është në krizë të thellë të rezultateve.

Fetahu: Jemi në krizë të rezultateve te përfaqësuesja A, nevojiten ndryshime

“Te reprezentacioni A me këto dy humbjet e fundit në nëntor të vitit të kaluar, vetëm sa e kemi thelluar më shumë krizën, e cila nuk është duke na pëlqyer dhe shpresoj të bëjmë ndryshime në këtë drejtim, për ta përtërirë ekipin dhe për të shkuar tutje me ekip më të ri, i cili duhet që për dy, tri apo pesë vjet ta na e jap rendimentin e duhur. Është pozitiv në këtë drejtim fakti që disa prej këtyre djemve dhe vajzave të reja po shkëlqejnë në ekipet e tyre dhe kanë hapësirë mjaftueshëm për të garuar”, thotë Fetahu.

Sipas Fetahut, ky dështim i “dardanëve” vjen për shkak të faktorëve të rëndësishëm që po e pengojnë direkt zhvillimin e basketbollistëve të rinj në Kosovë.

Fetahu: Janë dy faktorë që ndikojnë në mos sukses

“Janë dy faktorë, të cilët ndikojnë këtu. E para është se kemi fond të pamjaftueshëm të trajnerëve. Ne edhe në kuptim kuantitativ kemi pak trajnerë, i kemi rreth 100 që janë të regjistruar në Kosovë dhe ky do të jetë fokusi gjatë vitit 2025 e tutje, do të thotë të punojmë shumë më shumë me trajnerët. Fakti numër dy është mungesa e infrastrukturës, ne nuk kemi infrastrukturë të mjaftueshme sportive në këtë vend për të akomoduar kërkesat e të gjitha sporteve... Derisa të mos kemi kushte të mjaftueshëm për stërvitje të duhura, edhe rendimenti do të jetë gjysmak,” thotë ai.

I pari i FBK-së thotë se kjo federatë tashmë ka plan konkret për ndryshimin e gjendjes, ku përfshihen edhe klubet e Superligës.

Fetahu: Do t’ua imponojmë klubeve të investojnë në gjeneratat e reja

“Të imponohet fokusi përmes masave administrative, të cilat kërkojnë investime të mëtejme apo strukturimin e investimeve, të cilat duhet të bëhen te gjeneratat e reja duke imponuar kuota të caktuara të shpenzimeve të tyre prej buxhetit aktual. Është i parëndësishëm nëse buxheti juaj është 50 mijë apo dy milionë euro, një kuotë e këtij buxheti duhet të shkojë te gjeneratat e reja patjetër. Ne nuk mund të vazhdojmë e të lejojmë që të gjitha investimet të bëhen thjesht për ekipin e parë,” thotë Fetahu.

Për vitin 2025, Fetahu thotë se fokusi i Federatës do të jetë organizimi i Kupës në basketboll në muajin shkurt, faza finale e Ligës Unike mes ekipeve kosovare dhe atyre nga Shqipëria, si dhe përgatitjet për përfundimin sa më të mirë të stinorit aktual garues në Superligën e Kosovës në basketboll.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat