Superliga e basketbollit të meshkujve është rikthyer pas pauzës dimërore për ndeshjet e para të vitit 2025, teksa dje është hapur java e 11-të me sfidën ndërmjet Apolonisë dhe Besëlidhjes.
Lezhjanët e rifilluan aty ku e kishin lënë, duke koleksionuar fitoren e radhës në kampionat, e 11-ta sezonale dhe e 38-ta radhazi që prej edicionit të kaluar.
Skuadra e drejtuar nga Afrim Bilali triumfoi në Fier me rezultatin 75-92, duke i forcuar edhe më shumë pozitat në vendin e parë, me diferencë të madhe nga ndjekësit.
Besëlidhja e nisi ndeshjen furishëm, duke i mbyllur llogaritë thuajse që në periodën e parë, të cilën e fitoi thellë, me 20 pikë diferencë, 7-27. Lezhjanët morën edhe të dytën 15-20, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin e përgjithshëm 22- 47. Më tej kampionët në fuqi administruan, me çerekun e tretë të mbyllur në ekuilibër 24-24, ndërsa fraksioni i fundit 29-21 për Apoloninë. Kështu gjithçka përfundon me suksesin e miqve me +17 pikë.
Pesë lojtarë të Besëlidhjes shënuan mbi 10 pikë në këtë takim, ndërsa shifrën më të lartë e arriti Joshua Angle, autor i 22 pikëve. Për tu veçuar edhe një herë te Besëlidhja ishte kontributi i lartë i lojtarëve të stolit, të cilët shënuan plot 47 pikë. Për fierakët efikasitetin më të lartë e kishte Reese McDonald, me 15 pikë e 8 kërcime. Me këtë fitore Besëlidhja saldon kreun me 22 pikë, ndërsa Apolonia momentalisht është e treta me 15 pikë.
Java e 11-të e Superligës do të vijojë sot me një përballje interesante ndërmjet Vllaznisë dhe Teutës, takim që do të luhet në orën 18:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Durrsakët vijnë si forcë e dytë në kampionat, ndërsa kuqeblutë janë përmirësuar ndjeshëm në rezultate me ardhjen e trajnerit të ri, Eni Llazani, duke iu larguar fundit të tabelës.
Ndërkohë, java do të mbyllet me ndeshjen e së dielës ndërmjet Tiranës dhe Kamzës në orën 19:00 në sallën “Farie Hoti”, ekipe që renditen përkatësisht në vend të fundit dhe të parafundit në kuotë të barabartë pikësh, me nga 13 pikë secila.