Kategoria e Parë e basketbollit për meshkuj do të zhvillojë sot dy ndeshje të vlefshme për javën e 12-të.
Takimi hapës do të jetë në orën 16:00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, aty ku Partizani do të presë Skënderbeun.
33 herë kampionët e Shqipërisë, të cilët vijojnë ndjekjen ndaj Elbasanit kryesues, do të kërkojnë fitoren, që do t’i ngjiste momentalisht në vend të parë.
Gjithashtu, sot në orën 17:00 do të zhvillohet ndeshja Flamurtari-Fieri. Java e 12-të do të kompletohet të dielën me sfidën e skajeve të tabelës, teksa Elbasani i vendit të parë luan në transfertë ndaj Pogradecit të fundit.
Verdheblutë vijnë në këtë takim pas hapit fals të një jave më parë kundër Fierit, ndërsa liqenorët ende nuk e kanë provuar shijen e fitores në kampionat.
Kujtojmë që pas katër fazave të sezonit të rregullt, vendi i parë siguron ngjitjen direkte për në Superligë, ndërsa vendi i dytë shkon në “play off”, ku gjen vendin e parafundit të Superligës. Kështu që pritet një betejë e fortë deri në fund, sidomos me Elbasanit dhe Partizanit, për një biletë që të çon direkt në elitë.