Sulmuesi i Miami Heat, Jimmy Butler, u rikthye pas një pezullimi prej shtatë ndeshjesh ndërsa skuadra e tij humbi 133-113 ndaj Denver Nuggets.
35-vjeçari ishte lënë jashtë nga Heat më herët këtë muaj për shkak të “sjelljes që dëmton skuadrën” dhe ka kërkuar një transferim.
Megjithëse fillimisht Heat deklaroi se nuk do ta vendoste Butler-in në merkato, më vonë ata thanë se do të dëgjonin oferta për gjashtë herë All-Star-in e NBA-së.
Gjithsesi, Butler mbetet me Heat dhe shënoi 18 pikë duke luajtur 33 minuta në humbjen e së premtes në Florida.
Më pak se dy orë para fillimit të ndeshjes, Butler tha: “Jam kthyer,” në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale nga agjenti i tij, Bernie O. Lee. Deklarata dukej si përgjigje ndaj pyetjeve për planet e karrierës së Butler-it.
Pas ndeshjes, ai u përgjigj pyetjeve në dhomën e zhveshjes, duke mbajtur veshur një fanellë me numrin 45 të Chicago Bulls – numri i veshur nga Michael Jordan kur u rikthye nga pensionimi i tij i parë.
“U thanë shumë gjëra nga të gjithë, përveç meje, për të qenë i sinqertë,” tha Butler për pezullimin e tij.
“Kështu që, do të vazhdojmë t’u lemë njerëzve hapësirë të flasin, sikur dinë gjithçka dhe kanë të gjitha përgjigjet. Dhe pastaj, më herët a më vonë, e vërteta e plotë do të dalë në dritë.
“Por, deri atëherë, do t’u lëmë njerëzve të flasin. Nëse jam këtu, do të dal në fushë dhe do të luaj”.