Peja ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Borës me rezultat 79:85 (22:28, 29:22, 11:21, 17:14), në javën e 17-të të ProCredit Superligës.
Në çerekun e parë, mysafirët kishin epërsi deri në tetë pikë, 15:23, derisa kjo pjesë përfundoi 22:28.
Verdhezinjtë vazhduan me lojë të mirë dhe ngritën epërsinë në 13 pikë, 34:47, por prishtinasit u rikthyen shpejt për të përmbysur shifrat në fund, 51:50, sa përfundoi pjesa e parë me një treshe nga Desmond Cambridge Jr, i cili në pjesën e parë kishte 15 pikë.
Në periudhën e dytë, sërish mysafirët u shkëputën në 56:69, derisa në dhjetë minutat e fundit, vendasit afruan rezultatin në 74:77, por pa arritur të bëjnë më shumë dhe Peja triumfoi 79:85.
Te vendasit më i miri ishte Desmond Cambridge Jr me 24 pikë e pesë kërcime, ndërsa te mysafirët më i miri ishte Tristan Ikpe me 22 pikë e 13 kërcime.
Bora ka pesë fitore e 12 humbje, kurse Peja dhjetë fitore e shtatë humbje.