Kaos me derbin Tirana - Partizani

Basketboll

Kaos me derbin Tirana - Partizani

Më: 21 janar 2025 Në ora: 12:15
Partizani

Derbi Tirana-Partizani, ndeshje e prapambetur, e vlefshme për javën e pestë në Ligën Unike të basketbollit për femra po shkakton polemika të forta.

Shkak për këtë është bërë mospranimi i kërkesës së Partizanit për shtyrjen e kësaj sfidë, si rrjedhojë e një virusi gripi aq ka goditur kampin e kuq gjatë këtyre ditëve. Me anë të një deklarate, Partizani thumbon Federatën Shqiptare të Basketbollit, si dhe rivalet e Tiranës, për mospranimin e kërkesës së tyre për ta luajtur derbin në një tjetër datë. Të kuqet bëjnë me dije se do të paraqiten me ekipin U-18 në derbin e planifikuar për t’u zhvilluar sot në orën 17:00 në sallën “Farie Hoti”.

Ja deklarata e plotë e bërë nga Partizani i basketbollit të femrave në lidhje me këtë çështje:

“Ekipi i parë i femrave është mbërthyer nga virusi, i cili ka detyruar vajzat të ndalojnë stërvitjen prej 5 ditësh.

Në rrethana të tilla kemi lajmëruar FSHB-në, si organ përkatës për shtyrje të ndeshjes së Ligës Unike, ndeshje e cila është e prapambetur, pasi duhej të ishte luajtur më datë 14 janar, por u shty pas kërkesës së ekipit të Tiranës për arsye personale, kërkesë, e cila u pranua edhe nga ne.

Ndërsa sot bie poshtë kërkesa për të shtyrë ndeshjen për disa ditë, deri në përmirësim të gjendjes shëndetësore të vajzave tona, pasi ajo nuk pranohet nga përfaqësuesit e FSHB-së, si dhe nga Tirana.

Jeta dhe shëndeti i çdo sportisti është mbi egot personale për fitore të një takimi sportiv. Kështu që në ndeshjen e sotme do të mungojnë lojtaret: Ornela Lalaj, Sarah MgBeike, Shaylin Hagans, Hanna Akten, Ketjona Fekollari dhe Livia Gjata.

Urojmë që një ndeshje me ekipin U-18 të Partizanit t’i shërbejë skuadrës së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit”, shkruan Partizani i basketbollit të femrave në deklaratën e bërë pas mospranimit për shtyrjen e derbit në kompeticionin mbarëkombëtar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat