Një ditë pas shkarkimit të trajnerit grek Christos Kousidis, Teuta e basketbollit të meshkujve ka njoftuar trajnerin e ri.
Durrsakët kanë rikthyer në pankinë trajnerin Nikola Milatoviç.
61-vjeçari malazez është një njohës i mirë edhe i basketbollit shqiptar, pasi ka drejtuar për disa sezone në vendin tonë.
Në sezonin e kaluar ai ishte në stolin e Teutës, duke u shpallur nënkampion me bregdetarët, me të cilët madje më parë ka fituar edhe titullin. Durrsakët e kanë njoftuar nënshkrimin me trajnerin e Milatoviç në faqen e klubit.
“Shoqata Teuta Basket ka kënaqësinë të njoftojë rikthimin e trajnerit kampion, Nikola Milatoviç, në krye të ekipit tonë!
Pas një marrëveshjeje të suksesshme, Milatoviç rikthehet për të disatën herë në ekipin tonë, duke sjellë me vete eksperiencën dhe bagazhin e tij të pasur teknik. Ai ka dëshmuar aftësitë e tij në të kaluarën dhe jemi të bindur se, nën drejtimin e tij, ekipi do të njohë një rritje të konsiderueshme në formë dhe performancë sportive. Mirë se erdhe sërish, ‘coach’ Milatoviç! Bashkë drejt sukseseve të reja!”, shkruan Teuta.